Çfarë ndodhi në Suharekë? Ngjarjet nga java e kaluar

Si çdo javë tjetër edhe kjo javë në Komunën e Suharekës u përmbyll me ngjarje nga më të ndyshmet, por në përgjithësi ishte javë më e qetë.

SuharekaOnline ka përmbledhur disa nga ngjarjet e kësaj jave duke filluar nga arsimi, situata me pandeminë COVID-19, ngjarejt nga policia e deri te sporti.

Më 18 janar të këtij viti në Komunën e Suharekës ka filluar procesi mësimor, gjysmëvjetori i dytë, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar mësimi ka filluar nëpër shkolla.

Drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline kishte treguar se janë bërë përgatitjet e duhura dhe mësimi ka filluat në të gjitha shkollat në mënyrë fizike, duke e përjashtuar vetëm një klasë të shkollës ”Destan Bajraktari” e cila javën e parë të shkollës e kishte filluar me mësim online, kjo pasi që mësimdhënësja e asaj klase kishte qenë pozitiv me COVID-19, mirëpo Bajselmani ka thënë se nga java e dytë edhe për këtë klasë mësimi fillon në mënyrë fizike.

Gjithashtu, kjo javë nuk ka qenë e lehtë as për Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente e cila gjatë kësaj jave vazhdimisht ka qenë në teren duke parë nga afër dëmet të cilat u shkaktuan nga vërshimet e fundit në Kosovë të cilat kishin shkaktuar dëme edhe në shumë komuna të tjera.

I kontaktuar nga SuharekaOnline, drejtori i këtij dikasteri, Enver Shabani ka bërë të ditur se në komunën tonë fatmirësisht dëmet janë vetëm materiale të cilat arrijnë vlerën diku rreth 1 milionë euro.

Ai tutje ka treguar se me kërkesen e drejtorisë që ai udhëheq, Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka formuar një komision i cili po merret me vlerësimin e dëmeve, e që sipas tyre dëmet kryesisht janë në ekonomi familjare, infrastrukturë rrugore, ura dhe në institucione publike.

Ndër tjera, Shabani ka thënë se si drejtori presin nga Qeveria në detyrë të ndihmojë familjet dhe bizneset e dëmtuara nga vërshimet e fundit sepse Komuna e Suharekës nuk mund të iu ndihmojë.

Gjatë javës së kaluar Komuna e Suharekës ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët e komunës të cilët kanë qenë apo janë të infektuar me COVID-19 që të aplikojnë për subvencionim.

Të gjithë qytetarët që figurojnë në listat zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që kanë qenë dhe janë të infektuar me virusin SARS COV2- COVID 19, do të subvencionohen nga Komuna e Suharekës në shumën financiare prej 100.00 euro për person, ndërsa nga 200.00 euro do të subvencionohen familjarët e të vdekurve që kanë vdekur si pasojë e virusit SARS COV- COVID 19.

Ndërsa sa i përketë situatës me pandeminë COVID-19 në Komunën e Suharekës, situata është rënduar e kjo po bëhet e ditur nga raportet ditore të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të cilat i ka përcjellur SuharekaOnline e që rezulton se në Komunën e Suharekës brenda një jave janë identifikuar 72 raste të reja me COVID-19 dhe janë regjistruar dy viktima.

Për situatë më të rënduar me pandeminë COVID-19, ka njoftuar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka bërë të ditur se Komuna e Suharekës e cila për javë të tëra ishte në zonën e gjelbër, zonë kjo me rrezikshmëri të vogël të përhapjës së infeksionit me COVID-19 ka kaluar në zonën e verdhë, zonë kjo me rrezikshmëri të mesme të përhapjës së infeksionit.

Javën që lamë pas nga policia u raportua një ngjarje e rrallë, të cilën nuk e kemi dëgjuar shpeshë në komunën tonë e cila ka të bëjë me arrestimin e një personi të kërkuar nga shteti i Shqipërisë, e këtë lajm e kishte konfirmuar për SuharekaOnline Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Një aksion i gjërë i Policisë së Kosovës të mbështetur nga njësitet e specializuara, javën që lamë pas kanë arritur që në Suharekë të arrestojnë një person të dyshuar i cili ka qenë në kërkim me urdhër arrest nga Shqipëria.

I njejti ishte në kërkim për vepra penale “rrëmbim dhe armëmbajte pa leje” është arrestuar. E lidhur me këtë rast SuharekaOnline kishte raportuar ekskulizivisht që personi i arrestuar ishte shtetas i Shqipërisë me inicialet S.L.

Ndërsa ngjarje tjetër nga Policia e Suharekës është raportuar se një person ka deponuar një kartëmonedhë me vlerë prej 100 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar, e që këtë rast është duke e hetuar policia.

Gjithashtu të dielën Policia e Suharekës ka njoftuar se ka ndodhur aksident trafiku ku ngasësi i veturës me targa vendore nga pakujdesia ka goditur një këmbësor të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren.

E krejt në fund artikullin e përmbyllim me një lajm nga sporti, ku javën që lamë pas Ballkani ka shënuar edhe fitoren e tretë radhazi në takimet miqësore, ku takimi me ukrainasit përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës Suharekase.

Përgatiti, Eurolinda Zenelaj

RAPORTO