Xabi Alonso me plane të mëdha te Real Madridi, Alvaro Carreras objektivi i radhë
Pas përfundimit të sezonit vendor, Real Madridi ka vepruar me shpejtësi në merkaton e verës.
Klubi mbretëror ka emëruar Xabi Alonson si trajner të ri dhe ka siguruar dy përforcime: Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold, me një investim total prej 70 milionë eurosh.
Megjithatë, pas këtij fillimi energjik, lëvizjet në merkato janë ngadalësuar. Plani fillestar ishte që Alonso të kishte në dispozicion shumicën e mbrojtjes së re për turneun në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe një mbrojtës të majtë.
Ky mbrojtës është Alvaro Carreras nga Benfica, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer në ‘Estadio da Luz’. Por negociatat për transferimin e tij kanë hasur në vështirësi. Real Madridi ka tentuar ta përfundojë marrëveshjen për rreth 40 milionë euro, ndërsa Benfica mbetet e vendosur në kërkesën e saj për klauzolën e plotë të lirimit, prej 50 milionë eurosh.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, me Realin që synon ta mbyllë sa më shpejt këtë përforcim të rëndësishëm në repartin defensiv.