Vedat Muriqi rinovon me Mallorcan deri në vitin 2029: “Paratë nuk janë gjithçka”

26.07.2025

Vedat Muriqi ka konfirmuar edhe një herë përkushtimin e tij ndaj klubit spanjoll Mallorca, duke rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2029.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka zgjedhur të qëndrojë në ishull, jo për përfitime financiare, por për familjen dhe vazhdimësinë.

Në një intervistë për “Cadena Ser”, Muriqi tregoi se kontrata e re nuk sjell asnjë rritje të pagës. Ai do të vazhdojë të marrë të njëjtën pagesë si më parë – rreth 4 milionë euro në vit – shifër që gjithsesi e bën atë lojtarin më të paguar të skuadrës.

“Shumë njerëz pyesin për pagën time. Me rinovimin, unë thjesht do të fitoj njësoj si më parë, por për një periudhë më të gjatë. Paratë nuk janë gjithçka për mua,” deklaroi 31-vjeçari.

Një rol të veçantë në këtë vendim, sipas tij, ka pasur edhe vajza e tij. “Agjenti më tregoi për disa oferta, por kur e pyeta vajzën nëse dëshironte të largohej nga Mallorca, ajo më tha jo,” shtoi Muriqi.

Që nga transferimi i tij në vitin 2022 nga Lazio për shumën prej 8 milionë eurosh, Muriqi është kthyer në një figurë qendrore për klubin. Ai ka zhvilluar 118 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 35 gola dhe dhuruar 11 asistime.