Tifozët suedezë mahniten nga mikpritja në Prishtinë para ndeshjes me Kosovën

08.09.2025

Në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Suedisë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, tifozët suedezë kanë ndarë përshtypjet e tyre për vendin dhe mikpritjen kosovare, duke dhënë vlerësime pozitive për atmosferën në Prishtinë.

“Është fantastike. Është shumë bukur. Më pëlqen Kosova, është një vend shumë i këndshëm. Shpresoj të jetë një lojë e madhe dhe me të vërtetë shpresoj të fitojmë, sepse kemi nevojë për këtë, sidomos pas barazimit 2–2 me Slloveninë. Na duhen tri pikë këtu,” u shpreh një prej tifozëve suedezë para ndeshjes.

Një tjetër tifoz nuk ngurroi të tregonte entuziazmin e tij për mikpritjen e kosovarëve:
“Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Çka pres nga loja e sotme? Mendoj se do të fitojmë.”

Ndërkohë, një tjetër i pranishëm pohoi se pret një ndeshje të fortë, por shpreson që Suedia të marrë fitoren:
“Mendoj se do të jetë lojë e ngushtë, por ne do të fitojmë. Kosova është një vend shumë i bukur, me njerëz shumë të ngrohtë. Ndihemi shumë të mirëpritur.”

Përveç emocionit sportiv, atmosfera festive në kryeqytet dhe pritja e ngrohtë e vendasve i ka lënë mbresa të veçanta tifozëve suedezë, të cilët dëshirojnë që përvojën e bukur nga Prishtina ta kurorëzojnë edhe me një fitore të rëndësishme për ekipin e tyre.