KB Ylli shënon progres, nga vendi i parafundit arrin të renditet në vendin e 4-të

14.10.2021

Në këtë xhiro, janë zhvilluar deri tani dy ndeshje, ajo e Golden Eagle Yllit ndaj Rahovecit dhe Prizreni 16 ndaj Bashkimit. Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 89:77 (19:17, 25:21, 23:23, 22:16), në kuadër të javës së gjashtë të Superligës. Skuadra vendase e nisi ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi 15:4, […]

KB Ylli shënon progres, nga vendi i parafundit arrin të renditet në vendin e 4-të Foto: Ilustrim

Në këtë xhiro, janë zhvilluar deri tani dy ndeshje, ajo e Golden Eagle Yllit ndaj Rahovecit dhe Prizreni 16 ndaj Bashkimit.

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 89:77 (19:17, 25:21, 23:23, 22:16), në kuadër të javës së gjashtë të Superligës.

Skuadra vendase e nisi ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi 15:4, por më pas rikthehen Vreshtarët, duke afruar rezultatin në 19:17, sa përfundoi çereku i parë. Periudha e dytë ishte më e barabartë dhe me rikthime në rezultat, por në fund të kësaj therandasit sërish shkëputen 39:32, ndërsa pjesa e parë përfundoi 44:38.

Edhe perioda e tretë ishte shumë e niveluar, por sërish në fund të kësaj pjese Ylli krijon distancë, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:61. Në 10 minutat e fundit, Ylli ruajti epërsinë, madje e thelloi edhe më shumë për të triumfuar 89:77.

Ylli ka tri fitore dhe tri humbje, kurse Rahoveci një fitore dhe pesë humbje.

Ndërsa, dje është zhvilluar edhe ndeshja mes Prizreni 16 ndaj Bashkimit, ku Prizreni 16 ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 71:65 (19:18, 17:10, 17:23, 18:14).

Çereku i parë ishte i barabartë dhe me rikthime në rezultat dhe kjo pjesë përfundon 19:18. Fillimi i periudhës së dytë ishte i barabartë, me epërsi të lehtë nga Prizreni 16, që u shkëput në fund, duke e fituar këtë pjesë 17:10, duke shkuar në pushim me rezultat 36:28.

Prizreni 16 e thelloi edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 49:37, por më pas u rikthye Bashkimi, duke barazuar rezultatin në 51:51, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 53:51. Lojë interesante u zhvillua në 10 minutat e fundit, ku dy minuta nga fundi rezultati ishte 61:61, por nga ky moment Prizreni 16 u shkëput dhe triumfoi me rezultat 71:65.

Ndërsa, në renditjen tabelare Golden Eagle Ylli ka shënuar progres, kështu nga vendi i parafundit ka arritur që me tri fitore të renditet në vendin e katërt.

Në këtë renditjen prin Prizreni-16 me 10 pikë, duke lënë pas Trepçën me 9 pikë, Pejën me 9 pikë dhe Golden Eagle Yllin me 9 pikë.

Kurse Bashkimi renditet në pozitën e 5-të me 9 pikë, Sigal Prishtina në të 6-ën me 8 pikë, Rahoveci në atë të 7-të me 7 pikë dhe në të fundit (8) Drita me 5 pikë.