Festë e hidhur në Paris, kaos dhe arrestime pas triumfit të PSG-së në Ligën e Kampionëve

01.06.2025

Festa e madhe e mijëra tifozëve të Paris Saint-Germain pranë stadiumit “Parc des Princes”, pas fitores historike në Ligën e Kampionëve, është shoqëruar me skena kaotike dhe tensione të shumta.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë kapur momente paniku, me turma tifozësh që vraponin mes shpërthimeve dhe ndërhyrjes së forcave të rendit. Policia franceze u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për të kontrolluar situatën e tensionuar.

Sipas raportimeve të mediave franceze, rreth 5.400 efektivë policie dhe xhandarmerie ishin angazhuar për të ruajtur rendin publik. Megjithatë, kjo nuk i pengoi incidentet, pasi të paktën 294 persona u arrestuan për shkak të sjelljeve të dhunshme dhe trazirave të shkaktuara gjatë festimeve.

Një incident veçanërisht i rëndë ndodhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Një automjet, duke lëvizur me shpejtësi të madhe, përplasi katër persona në mes të turmës së festuesve. Të lënduarit përfshijnë dy djem të moshës 17-vjeçare, një vajzë 23-vjeçare dhe një grua 46-vjeçare. Fatmirësisht, sipas informacioneve të para, të gjithë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shoferi i automjetit tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, por u ndalua dhe u arrestua pak minuta më vonë nga forcat e policisë.

Autoritetet franceze kanë lëshuar thirrje për qetësi dhe respektim të rendit publik gjatë festimeve të mëtejshme, duke shprehur keqardhjen për incidentet e shënuara.