Barcelona shtyn rikthimin në “Camp Nou”, punimet nuk përfundojnë në kohë

13.09.2025

Klubi i futbollit Barcelona nuk do të rikthehet në stadiumin legjendar “Spotify Camp Nou” në afatin e parashikuar fillimisht.

Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive spanjolle Mundo Deportivo, punimet për rinovimin e stadiumit kanë pësuar vonesa dhe rikthimi i skuadrës katalanase në shtëpinë e saj është shtyrë.

Barcelona kishte planifikuar të luante sërish në Camp Nou në fillim të sezonit 2025/26, por për shkak të disa vështirësive teknike dhe logjistike gjatë procesit të rindërtimit, kjo nuk do të jetë e mundur.

Projekti ambicioz “Espai Barça” synon transformimin e plotë të stadiumit në një impiant modern dhe funksional, por punimet nuk kanë ecur sipas ritmit të parashikuar.

Aktualisht, blaugranat zhvillojnë ndeshjet si vendas në Estadi Olímpic Lluís Companys në Montjuïc, ku pritet të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë sesa ishte parashikuar.

Zyrtarët e klubit ende nuk kanë caktuar një datë të re për rikthimin në Camp Nou, por raportet tregojnë se objektivi i ri është përfundimi i pjesës kryesore të stadiumit deri në fund të vitit 2026.