Sëmundjet alergjike, simptomat dhe trajtimi

22.01.2020

Miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga alergjitë e llojeve të ndryshme. Grimcat alergjenë të shpërndara në ajër acarojnë rrugët e frymëmarrjes, lëkurën apo çdo pjesë tjetër të trupit. Ndërkohë, mjekët e shohin alergjinë si një shqetësim që po prek gjithnjë e më shumë njerëz. Pneumo-Alergologu Sybi Musollari shpjegon për gazetën Shëndet+ se rreth 150 milionë evropianë […]

Sëmundjet alergjike, simptomat dhe trajtimi Foto: Ilustrim

Miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga alergjitë e llojeve të ndryshme. Grimcat alergjenë të shpërndara në ajër acarojnë rrugët e frymëmarrjes, lëkurën apo çdo pjesë tjetër të trupit. Ndërkohë, mjekët e shohin alergjinë si një shqetësim që po prek gjithnjë e më shumë njerëz.

Pneumo-Alergologu Sybi Musollari shpjegon për gazetën Shëndet+ se rreth 150 milionë evropianë vuajnë nga alergjitë, ndërsa edhe në Shqipëri numri i të prekurve mbetet i lartë. “Sot në botë alergjia konsiderohet si diçka shumë më e madhe sesa ai reaksioni që mund t’iu vijë në mendje kur mendoni polenit e pemëve. Shpeshherë i jepet një kuptim shumë i ngushtë alergjisë. Alergjia është një nga problemet kryesore të njerëzimit. Në Evropë 1 nga 3 persona vuan nga një lloj alergjie. 150 milionë evropianë vuajnë nga një lloj alergjie dhe në vitin 2025 predispozohet që numri të shkojë deri në 200 milionë”, shton mjeku Musollari.

Pse është e rëndësishme kjo?

E them sepse kur ne diagnostikojmë vetëm një molekulë si përgjegjëse për  një alergji të caktuar, edhe mjekimin e bëjmë vetëm për atë. Nuk kemi pse të bëjmë mjekim për të gjitha proteinat e qumështit apo të një produkti tjetër. Në këtë rast rezultati është 100% i sigurt. Ndërsa kur e diagnostikojmë sëmundjen në mënyrë të thjeshtë për të gjitha proteinat që përmban produkti, marrim vetëm 1/20 e rezultatit. Ne kemi 30 vite që punojmë dhe vetëm tani së fundmi kemi nisur të specializohemi për alergologjinë molekulare. Fatmirësisht, kanë nisur të funksionojnë edhe në Shqipëri disa laboratore që bëjnë analiza molekulare të alergjisë. Duhet të theksojmë se alergologjia është bërë problem botëror. Nëse marrim një tjetër rast, familjet që mbajnë në shtëpi kafshë të ndryshme. Një fëmijë që ka mace në shtëpi, dërgon në shkollë apo në ambientet e tjera ku rri të gjitha të gjitha qelizat alergologjike të maces dhe po të jenë 3 apo 4 fëmijë në klasë që vijnë nga familje që kanë mace, ka mundësi të sëmuren edhe fëmijët e tjerë. Kështu transmetohen qelizat alergologjike, ngopet ajri dhe të tjerë fëmijë që janë të predispozuar për alergji, mund të sëmuren. Zbokthi i maces ka disa proteina bartëse, por është njëra prej tyre që e shkakton alergjinë. Kjo mund të përcillet përmes rrobave, përmes duarve apo flokëve. Alergologjia molekulare na sugjeron që nuk duhen mbajtur kafshë në shtëpi. Ato duhen mbajtur 40 metër larg. Në fakt nuk duhen mbajtur fare, sepse janë rrezik jo vetëm për individin që i ka, por edhe për pjesën tjetër të komunitetit. Studimet na tregojnë se pothuajse 50% e alergjive në vendet perëndimore shkaktohen nga kafshët shtëpiake, sepse shumica mbajnë një të tillë.  Ndërkohë, molekulat e këtyre kafshëve shtëpiake bëjnë alergji të kryqëzuara me njëra-tjetrën duke e rritur akoma më shumë rrezikun. Kjo ndodh sepse kanë një proteinë, një molekulë alergjenike, të përbashkët. Dhe kjo molekulë merret përmes ajrit.

Z. Musollari, ju po flisni për rritje drastike të numrit të personave të prekur nga alergjitë, mund të më thoni cilat janë arsyet?

Para se të them shkaktarët konkretisht, po përmend disa arsye që unë mendoj se janë të rëndësishme që njerëzit ti dinë. Arsyet pse po rriten alergjitë janë të shumëllojshme, ndër të cilat më kryesoret janë mënyra e të jetuarit me ushqime të përpunuara dhe nga mbingarkesa e ndotjeve në ajër. Këta janë  2 faktorët kryesorë që godasin sistemin imunitar. Sot nuk ka ushqim që nuk përpunohet me kimikate, përfshirë edhe ujin që i hidhet klor. Ajri është i tejngopur me gaze, me rrezatim, me polene dhe myk, kështu që alergjitë vetëm po rriten nga dita në ditë. Njeriu këto 50 vitet e fundit është mbingarkuar. Me miliona vite gjërat kanë qenë natyrale, por këto 50 apo 70 vitet e fundit është bombarduar nga jashtë me ushqim, me ajër, me kimikate dhe solucione të ndryshme që përdoren për trupin. Kësisoj është dëmtuar seriozisht sistemi imunitar. Ky sistem nuk duron dot më, sepse njeriut i duhen miliona vite të adaptojë një kimikat apo solucion të caktuar. Nuk përballon dot dhe pastaj shpërthejnë alergjitë.

Po sa i përket anës gjenetike… Sa e rëndësishme është për shfaqjen e alergjive?

Për fat të keq alergjitë kanë gjithnjë lidhje gjenetike. Pra, të predispozuar për të bërë alergji janë personat që kanë të afërm alergjikë. Nëse të dy prindërit janë alergjikë, shanset që edhe fëmija të shfaqë alergji janë 80%. Nëse është vetëm njëri prej prindërve, predispozita për alergji tek fëmija është 50%. Ata që kanë të sëmurë me alergji në trungun familjar janë të predispozuar që të bëjnë një alergji gjatë jetës. Alergjia e ka strumbullarin në limfocit, në rruazat e gjakut, pavarësisht se ku shfaqet. Është problem i madh. Është edhe mënyra e të jetuarit që ka rritur masivisht alergjitë. Për interesa ekonomike njerëzimi ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit. Të gjitha produktet në supermarkete janë të përpunuara. Aktualisht nuk ka gjë natyrale. Është një industri e madhe që merret me këtë punë në çdo sektor dhe është shumë e vështirë që të kontrollohet. Duke marrë nga të gjitha anët vetëm produkte të përpunuara, trupi i njeriut nuk duron dot më. Nuk ka më rezistencë.

Po faktori klimë, si ndikon në shfaqjen e alergjive?

Për polenit e pemëve në pranverë ndikon bimësia. Por në tërësi për alergjinë, mbingarkesa me lëndë toksike, me kimikate veçanërisht, ndikon negativisht, sepse ato godasin të gjithë organizmin.

Çfarë roli luajnë nxehtësia dhe rrezet e diellit në acarimin e alergjive?

Rrezet ultravioletë janë të dëmshme për alergjitë e lëkurës. Kjo pasi rrezet e forta janë më ngarkesë të madhe të rrezeve ultravioletë. Ndërsa rrezet ultravioletë të dimrit nuk janë të dëmshme, sepse njeriu ka nevojë për rreze të tilla. Ato të verës nuk janë të mira, sepse ka një dendësi të madhe të rrezeve që thamë. Ajo acaron lëkurën dhe e dëmton. Për personat që vuajnë nga alergji të lëkurës është shumë i dëmshëm qëndrimi me orë të zgjatura në rreze gjatë verës.

Çfarë sëmundjesh të tjera zinxhir mund të shfaqen nga një alergji e thjeshtë?

Alergjia është sëmundje autoimune, godet sistemin shëndetësor të njeriut dhe e sëmur në rrugët e frymëmarrjes, fillon dhe ka infeksione më të shpeshta të bronkeve, të mushkërive, bajameve dhe sinuseve. Normalisht është më pak rezistent dhe më i ekspozuar sidomos për sëmundjet inflamatore, infeksionet. Alergjia nuk mund të themi se ka lidhje të drejtpërdrejtë me sëmundje të tjera të rënda, por kur kemi alergji, sistemi ynë imunitar dobësohet duke bërë që të tjera sëmundje të rënda të shfaqen më me lehtësi. Por vetë alergjia nuk shkakton një sëmundje në mëlçi apo në veshka. Ama, duhet thënë se alergjia është shumë e dëmshme për organizmin e njeriut.

Sa i përket përdorimit të antibiotikëve, a janë të rekomandueshëm? I përdorin pacientët?

Nga studimet shkencore që janë bërë, përdorimi i antibiotikëve që në moshë të hershme tek fëmijët e vegjël apo tek gratë shtatzëna, rrit predispozitën për t’u sëmurë me astma që në moshën fëminore. Kjo ndodh sepse antibiotikët, duke u bazuar edhe në teorinë e higjienës, godasin disa lloje bakteresh që janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur njeriun nga alergjitë. Kur përdoren gjatë shtatzënisë apo gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës, është vënë re se pastaj alergjitë zhvillohen gjatë moshës parashkollore dhe shkollore më shumë se tek fëmijët normalë. Përdorimi i antibiotikëve duhet të jetë minimumi i atyre të domosdoshmeve. Antibiotikët përveç efekteve direkte që bëjnë, në përgjithësi godasin edhe limfocitin që është përgjegjës për sistemin imunitar. Kësisoj, një person gjatë alergjive, sa më shumë që të përdorë antibiotikë, aq më shpesh do të  sëmuret nga infeksionet. Pacienti do të shërohet për momentin, por do të sëmuret shumë shpesh. Para 40 vitesh nuk përdorej antibiotiku, pasi alergjia apo sëmundje të tjera kaloheshin vetë, por ishim më rezistentë. Aktualisht i mjekojmë të gjitha infeksionet, por njerëzit sëmuren më shpesh. Ky është problemi.

Ku ndryshon një grip i zakonshëm stinor që mund të lindë në pranverë nga alergjitë e kësaj stinë?

Klinikisht nuk dallohen fare, por ne e dallojmë nga sezoni. Në periudhën e pranverës është shumë normale që të ketë alergji. Pikë tjetër është se polenet e bimëve gjatë stinës së pranverës, prekin kryesisht moshat e vogla dhe të rinjtë. Nuk është karakteristike për të rriturit. Ndërsa gripi i zë të gjithë. Pastaj gripi ka temperaturë që alergjitë nuk e kanë. Më pas kur kryhet vizita tek meku specialist mund të dallohet lehtësisht nëse kemi të bëjmë me një alergji apo me virozë.

Në çfarë rastesh alergjitë mund të zgjasin gjatë gjithë periudhës së vitit? Çfarë specifikash kanë ato?

Sa i përket poleneve janë më të përhapura në pranverë dhe në verë. Polenet që janë grimca shumë të vogla mikroskopike transmetohen përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe depërtojnë në organizëm. Shenjat janë rrufë, lotim, bllokim i frymëmarrjes dhe shtrëngim gjoksi. Mjekimi gjithmonë duhet rekomanduar nga mjeku alergolog. Të sëmurët që kanë alergji nga polenet, në këtë periudhë, nuk duhet të dalin jashtë shpesh. Në shkollë, në punë dhe në shtëpi, këta individë duhet ti mbajnë dritaret e mbyllura. Vetëm pas orës 8 të darkës dhe para orës 7 të mëngjesit nuk janë të rrezikuar. Duhet të lajnë vazhdimisht trupin dhe veshjet, sepse polenit i mbartin edhe në shtëpi. Për të shmangur rëndimin e situatës, personat alergjikë nga polenit e bimëve duhet patjetër të vizitohen tek mjeku specialist. Por ka disa probleme. Alergjitë nga polenet që përsëriten nga viti në vit, gjithnjë e më tepër po rëndohen. Është koncept i gabuar i disa prindërve, të cilët mendojnë se fëmijëve do iu kalojë alergjia pa u konsultuar me mjekun. Nëse është me alergji në gjak, nuk kalon. Duhet të mjekohet. Mjekimi më i mirë për alergjitë nga polenet është vaksina kundër tyre. Por ka dhe mjekime të tjera sipas gjendjes së të sëmurit. Të rejat në rastet e alergjive nga polenet janë se së fundmi bimë të ndryshme bëjnë alergji të kryqëzuar. Proteinat e disa bimëve, duke pasur strukturë të njëjtë proteinike, bëjnë kryqëzime me njëra-tjetrën. Kjo ka sjellë zgjatjen e alergjive nga polenet. Kur molekulat e bimëve kryqëzohen ato krijojnë një zgjatje të alergjisë që shkaktojnë. Pikërisht në këtë pikë e vë theksin edhe alergologjia molekulare. Problemi i dytë është se të sëmurët më alergji nga polenit, fillojnë të kenë alergji nga frutat. Kjo ndodh për shkak të ngjashmërisë proteinike të molekulës së frutit me bimën ndaj të cilës ka alergji një individ. Deri para pak kohësh këto ishin 2 pika që nuk i shpjegonim dot, por këto janë risi të alergologjisë molekulare. Periudha e alergjisë është zgjatur shumë për shkak të alergjive të kryqëzuara.

Një grup tjetër shumë i rëndësishëm dhe që është faktor alergjie, është myku dhe kjo zgjat pothuajse gjatë gjithë vitit. Alergjitë nga myku janë shumë të shpeshta në të gjitha Mesdheun. Myku krijohet në dhoma të ngrohta, të lagështa dhe të pandriçuara. Myku alergjent krijohet kryesisht në mjedise të mbyllura dhe nën 1000 metër mbi nivelin e detit. Vendet malore nuk e kanë. Nëse ambientet nuk ajrosen siç duhet, predispozita e shfaqjes së alergjive është me të vërtetë e lartë. Shtëpitë dhe orenditë duhet të ajrosen sa më shpesh të jetë e mundur. Sidomos në ditët me diell, për të shmangur alergjitë nga bakteret e mykut, duhet që të ajrosen ambientet. Kjo pasi, rrezet e diellit për 2 orë i vrasin ato baktere.

Grup tjetër që ndikon në shfaqjen e alergjive e alergjive, janë kafshët shtëpiake. Ato mendoj se janë problemi më i madh që kemi aktualisht. Qeni, macja, lopa, dhia apo kali kanë një molekulë të përbashkët e cila tek disa persona shkakton alergji. Kjo proteinë tek kafshët mund të gjendet tek zbokthi, tek pështyma e tyre apo në urinë. Këto molekula më pas transmetohen nga një person tek tjetri. Mbajtja e kafshëve shtëpiake është një problem i madh në Shqipëri dhe në botë. Kjo pasi personi që i shërben kafshës mbart qelizat alergjene nga kafsha në ambiente publike. Koncepti i mbajtjes së kafshëve në shtëpi është shumë i gabuar, por ç’është e vërteta edhe tek ne po rritet me ritme shumë të shpejta. Grup tjetër si shkaktarë të alergjive janë ilaçet që njerëzit ndoshta nuk e dinë. Aspirinat, ilaçet kundër reumatizmës dhe shumë të tjera janë faktorë alergjenë. Të sëmurët duhet detyrimisht që të bëjnë analiza tek doktori dhe të kontrollohen nëse kanë alergji ndaj një ilaçi të caktuar. Grup tjetër janë ushqimet siç i përmenda pak edhe më përpara. Ka raste të shumta fatale të alergjive që shkaktohen nga ushqimet. Tek fëmijët, faktorë alergjentë janë kryesisht qumështi dhe veza, ndërsa në rastin e të rriturve ushqime alergjente janë frutat e thata dhe produktet e detit.

Faktor tjetër që shkakton alergji tek individë të caktuar, janë insektet. Në periudhën e verës bletët dhe grerëzat mund të jenë fatale nëse nuk mbahet me vete gjilpëra kundër alergjisë. Për personat alergjikë ndaj pickimit të bletëve, nëse nuk e kanë vetëinjektuesin, alergjia është fatale dhe mund t’u kushtojë jetën.  Këto janë grupet kryesore të alergjentëve në botë, por rritja e rasteve është progresive.

Përmendët pak më përpara vaksinimin. Aplikimi i saj a e zgjidh problemin në mënyrë të përhershme apo të përkohshme tek individët alergjikë ndaj ushqimeve apo poleneve?

Vaksina e zgjidh pothuajse përfundimisht. Dhe vaksinën kundër shumë prej alergjive, shteti duhet ta marrë në konsideratë që ta rimbursojë, sepse është shumë e shtrenjtë dhe njerëzit nuk kanë mundësi që ta blejnë. Deri në vitet ’90 vaksina ka qenë e rimbursuar por më pas u hoq. Mendoj se ka qenë një gabim shumë i madhe, sepse shumë familje nuk kanë asnjë mundësi ekonomike që ta blejnë.

Së fundmi, dua të shtoj se futja e alergologjisë molekulare ka rritur cilësinë e shërbimit. Shpresojmë që të zhvillohet më tej edhe në vendin tonë. Na duhet që të rrisim kapacitetet që të bëjmë diagnoza precize për përcaktimin e molekulës nga e cila kanë alergji pacientët. Megjithatë, sensibilizimi i njerëzve nga rreziqet që mund të sjellin alergjitë është në nivele të ulëta, sepse bëhet shumë pak “propagandë”. Analizohet alergjia vetëm në pak gjëra, apo në disa tema jo shumë të rëndësishme, kur në fakt alergjia po kthehet në një problem madhor. Të gjithë duhet të bashkëpunojmë që të shmangim rritjen e rasteve të alergjive, pavarësisht se për disa gjëra e kemi të pamundur. Alergjitë duhet ti konsiderojmë si probleme serioze.