Suharekë: Tekniku i pyjeve mohon fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

01.04.2019

Muharrem Basha, i akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në cilësinë e teknikut të pyjeve në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, është deklaruar i pafajshëm. Në seancën fillestare të së hënës, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari […]

Suharekë: Tekniku i pyjeve mohon fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare Foto: Ilustrim

Muharrem Basha, i akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në cilësinë e teknikut të pyjeve në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, është deklaruar i pafajshëm.

Në seancën fillestare të së hënës, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari ka mohuar fajësinë.

Basha, akuzohet se duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i lejuar një qytetari transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi të njëjtit, duke ia lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Gjykatësi i këtij rasti, Artan Sejrani, e ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Bashkim Nevzati, se kanë afat që brenda jo më shumë se 40 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe provat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shqyrtimi i dytë për këtë rast sipas gjykatësit Sejrani, është caktuar për 7 Maj 2019, prej orës 9:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 Shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 Korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si Teknik i Pylltarisë pranë Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, i njëjti, ka kryer veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi