Shifra alarmante, 113 persona vdiqën vitin e kaluar nëpër aksidente trafiku në Kosovë

24.01.2020

Vetëm gjatë vitit që lamë pas kanë ndodhur 16 mijë e 199 aksidente ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente dhe prandaj sfida kryesore e sigurisë publike në vend vazhdon të jetë siguria në trafik. Kështu u tha në konferencën e shtatë ndërkombëtare të titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, […]

Shifra alarmante, 113 persona vdiqën vitin e kaluar nëpër aksidente trafiku në Kosovë Foto: Ilustrim

Vetëm gjatë vitit që lamë pas kanë ndodhur 16 mijë e 199 aksidente ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente dhe prandaj sfida kryesore e sigurisë publike në vend vazhdon të jetë siguria në trafik.

Kështu u tha në konferencën e shtatë ndërkombëtare të titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, të organizuar nga Kolegji Tempulli si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, tha se siguria publike në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti vazhdojnë të mbeten ndër problemet kryesore për institucionet shtetërore dhe të gjithë shoqërinë.

Ai tha se shqetësuese është numri i madh i aksidenteve rrugore dhe numri i personave të vdekur në aksidente në vendin tonë.

“Numri i madh i aksidenteve në rrugë është shqetësues sa i përket përdoruesve të rrugës edhe në Kosovë. Bazuar në të dhënat statistikore të vitit 2019 ka pasur gjithsej 16 mijë 199 aksidente rrugore të të gjitha llojeve, ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente. Shqetësuese është numri i madh i personave të lënduar lehtë dhe rëndë, ku statistikat tregojnë se në vitin 2019 lëndime trupore si pasojë aksidenti kanë marrë 11 mijë e 865 persona. Nga rekomandimet e dala nga kjo konferencë në kuadër të mobilitetit urban inkurajojmë pjesëmarrësit, e posaçërisht institucionet t’i marrin ato në konsideratë gjatë hartimit dhe rishikimit të planeve të mobilitetit urban”, tha ai.

“Siguria e lëvizjes në rrugë çështje shumë e ndjeshme për secilin qytetar, rrjedhimisht kjo ndjeshmëri duhet të brengosë të gjithë qytetarët dhe institucionet për kujdes të shtuar dhe masa konkrete në këtë drejtim. Çdo vit 1,35 milionë njerëz vdesin në rrugë, kjo do të thotë se gati 3 mijë 700 njerëz vdesin në trafikun rrugor si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor. Lëndimet në trafikun rrugor janë shkaku më i zakonshëm i vdekjes të të rinjve në mbarë globin”, tha drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamet Krasniqi.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike Ismail Smakiqi, u shpreh se sfida e sigurisë në trafik ka nevojë për vëmendje të shtuar të institucioneve dhe të qytetarëve.

“Sfida e sigurisë në përgjithësi, po kjo e trafikut është një prej cështjeve që realisht donë vëmendje shumë të shtuar jo vetëm të agjencive të sigurisë ose asociacioneve të ndryshme që merren me siguri në trafik, po edhe të gjithë qytetarëve”, tha ai.