Motivi i vrasjes në kazinon e Lipjanit, grabitja e afër tre mijë eurove: Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin

05.04.2019

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka kërkuar caktimin e paraburgimit për Astrit Pacollin, për rastin e vrasjes në kazino me dyshimin se ka kryer dy vepra penale: ‘grabitje’ dhe ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’. Para dy ditësh, Policia ka arritur ta arrestojë Astrit Pacollin, si të dyshuarin kryesor për vrasjen […]

Motivi i vrasjes në kazinon e Lipjanit, grabitja e afër tre mijë eurove: Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin Foto: Ilustrim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka kërkuar caktimin e paraburgimit për Astrit Pacollin, për rastin e vrasjes në kazino me dyshimin se ka kryer dy vepra penale: ‘grabitje’ dhe ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Para dy ditësh, Policia ka arritur ta arrestojë Astrit Pacollin, si të dyshuarin kryesor për vrasjen e 36-vjeçarit, Florent Ahmetaj në një kazino në Lipjan më 20 mars të këtij viti.

Prokuroria sot ka treguar ngjarjen e 20 marsit ku mbeti i vrarë Florent Ahmetaj, ngjarje e cila e ka bërë prokurorinë të kërkojë paraburgim nga Gjykata Themelore.

“Ekziston dyshimi i bazuar, se më 20.03.2019, rreth orës 18:26 minuta, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinon “Matrix”, i pandehuri A.P., me përdorimin e forcës, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti me armë zjarri (pistoletë), ka gjuajtur dy herë në drejtim të viktimës, me ç’ rast viktima nga plagët e marra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse i pandehuri nga viktima ka marrë shumën e parave në vlerë prej 2700€ dhe është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, transmeton GazetaMetro.

Pas kërkesës së Prokurorisë, sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e masës për caktimin e paraburgimit, të propozuar nga prokurori i çështjes.