Mbi 24 mijë familje në Kosovë jetojnë vetëm me ndihma sociale

20.08.2019

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies  Sociale” për tremujorin e dytë të vitit 2019. Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e […]

Mbi 24 mijë familje në Kosovë jetojnë vetëm me ndihma sociale Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies  Sociale” për tremujorin e dytë të vitit 2019.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24,767 familje me gjithsej 100,995 anëtarë. Kështu thuhet në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale, tremujori i dytë 2019” prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 124 familje. Ndërkaq nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 129 267 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 46 513 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 932 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 105 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2 752 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,071 përfitues;  nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 541 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 924 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 323 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 3 105 përfitues.

Kurse, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 150 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38 052 përfitues.

ASK thotë se në tremujorin e dytë të vitit 2019 janë braktisur 12 fëmijë.