Në veri të vendit konfiskohen armë dhe një sasi e municionit

21.04.2024

Policia e Kosovës, si rezultat i angazhimeve të saja ka pranuar një informacion se në Zveçanin e Vogël, në një shtëpi dyshohet për armë ilegale.

Në veri të vendit konfiskohen armë dhe një sasi e municionit Foto: Ilustrim

Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës bën të ditur se me autorizimin e prokurorit kujdestar, zyrtarët policorë sipas procedurave të parapara, kanë realizuar një operacion të kontrollit të një shtëpie, në tavanin e së cilës janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri AK-47, disa karikatorë, një sasi e municionit dhe një elektroshok.

“Policia e Kosovës posedon informacione lidhur me personin e dyshuar, mashkull serb, të cilit i përket shtëpia e banimit e i cili dyshohet se gjendet në Serbi. Vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me procesin e votimit, për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit”, thuhet në komunikatë.