Dy persona plagosen me armë zjarri në kryeqytet

16.02.2024

Dy persona janë plagosur me armë zjarri në orët e mbrëmjes në kryeqytet, derisa tre persona kanë përfunduar në pranga.

Dy persona plagosen me armë zjarri në kryeqytet Foto: Ilustrim

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sonte rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për  plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore, ndërkohë që lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar”, ka shtuar zëdhënësja e policisë.

Ndërkaq, gazetari i RTK-së, Arton Mulliqi në një lidhje të drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes në magazinën “Lajmet e Fundit”, ka thënë se të plagosurit dyshohet se kanë qenë në veturë.

“Kam arritur të komunikoj me disa nga dëshmitarët të cilët kanë qenë këtu në momentin kritik dhe kanë thënë se deri te plagosja ka ardhur pas një zënke në mes të dyshuarve tashmë të arrestuar”, ka thënë Mulliqi.