Drejtori i policisë paralajmëron: Situata e sigurisë në veri e brishtë, me mundësi tensionimi

26.03.2024

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se situata në veri të vendit vazhdon që të mbetet e brishtë, me mundësi tensionimi.

Drejtori i policisë paralajmëron: Situata e sigurisë në veri e brishtë, me mundësi tensionimi Foto: Ilustrim

E gjithë kjo sipas tij, për shkak të grupeve kriminale të cilat veprojnë në veri të vendit.

“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe me gjerë vlerësohet të jetë e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve, strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë marrë për bazë dinamikën e kërcënimet e sigurisë siç janë: incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme dhe kërcënimet hibride. Vlen të theksohen disa prej rasteve dhe incidenteve më të rënda gjatë vitit 2023 ”, ka deklaruar Hoxha gjatë raportimit sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndryshe, më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit. Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u neutralizuan edhe tre terroristë serbë.