#RriNeShtepi

Shkruan – Arbenita Hoxha, Asistente e angazhuar ne Departamentin e Gazetarise

Sot kur e gjitha bota është në betejë kundër koronavirusit, njerëzit janë të izoluar në shtëpitë e tyre. Ky izolim ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe mos përhapjen e virusit. Hashtagu #RriNeShtepi nënkupton mbrojtje për ty dhe familjen. Ndoshta, kjo është mënyrë për të reflektuar për jetën që e bëjmë, punën dhe sjelljen tonë ndaj të tjerëve.  Pa panik por me kujdes të shtuar.

Sipas psikoterapistit, Jürgen Hoyer: “Frika e drejton vëmendjen e njeriut tek rreziku. Pra është e natyrshme që njerëzit tani kanë frikë. Kësaj i shtohet një frikë difuze, e papërcaktuar qartë, sepse nuk e dimë si do të vazhdojë gjendja. Një frikë genuine e njeriut është frika nga e panjohura. Ne nuk e dimë, se sa kohë do të zgjasë kjo, se cilat do jenë pasojat, që do të sjellë kriza. Pra është ajo ndjenja e pafuqisë që na bren, kur nuk kemi më kontrollin si njeri. Kjo sjell më shumë frikë”.

Të gjithë jemi të shqetësuar për gjendjen ku jemi. Ne zgjohemi duke lexuar lajme në rrjete sociale, bisedojmë me miq në telefon, mendojmë për te kaluarën, madje na merr malli për një “macchiato” dhe e përfundojmë ditën duke i parë lajmet e mbrëmjes në televizonet tona. E shihni sa vështirë është të jesh i vetmuar, në një situatë ku secili kemi nevojë për njër- tjetrin, qoftë për mbështetje morale apo edhe financiare. Mirëpo, kur ishim të lirë a kemi menduar sa e vlefshme është jeta? A kemi menduar për tjetrin? Kjo situatë është shans i mirë për të përmiresuar gjërat që i keni menduar dhe realizuar gabim. Ju mundeni të mendoni për njerëzit që kane nevojë për ju, për njerëzit që duhet t’i kërkoni falje dhe për njerëzit që do t’i përqafoni pas kësaj gjendje. Njëkohësisht, ju mundeni të realizoni aktivitete të ndryshme, si p.sh sport, lexim, mësim online, njohje të reja me shok virtual, madje mund të kaloni më shumë kohë me të dashuritë tuaj.

Ne besojmë që kjo gjendje do të kalojë shumë shpejt, sepse besimi varet nga ne duke u kujdesur për veten. Të shpresojmë për ditë të mira, për ditë nën rreze të diellit duke shijuar kafe së bashku me miq dhe familjarë. Le të jete kjo karantinë mësim për të ardhmen. Të bëhemi njerëz më të mirë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.