08.10.2019, 23:01

N’CUK …!

“Plakut[1] mos i rri prapa se …, fjalët dëgjoja!”

“T’u rritë mendja!!!”, ishte lutja që e bënin shqiptarët për t’i parë të fundosur njerëzit mendjemëdhej e arrogant.

Bajram Curri

Strategjia e disa subjekteve politike në zgjedhjet e 6 Tetorit dhe e shumë kandidatëve veç e veç, doli të jetë e gabuar. Ishte shkollë për atë që duhej ta kuptonin me kohë. Se kush nuk mund të bindet e të beson që korrupsionin dhe nepotizmin në institucionet tona shtetërore do ta luftojnë politikanët e njejtë, që për 20 vjetë zyret e partive të tyre i kthyen në katedra akademike të korrupsionit e krimit (endemik), e me vetëbesim të tepruar të dalin nëpër rrugë, lagje vendbanime të Kosovës të kërkojnë votën e qytetarit, N’CUK. Hakmarrja e qytetarit të lodhur e të pa shpresë se do të gjejnë DERMAN për të ardhmen e fëmijëve të tyre te kjo klasë politike e dalë nga “katedrat” ishte e fuqishme. Qytetarët, që deri dje ishin të pa shpresë, i dhanë goditje fatale krimit e korrupsionit institucional në Kosovë.

Subjektet u përpoqen të luajnë dhe një herë me ndjenjat e qytetarit, duke u përpjekur t’i trullosin edhe një herë duke manipuluar me familjet e nderuar historike, të historisë më të re të popullit tonë. Sikur LDK dikur, futen në listë “djalin e babës”, “vëllaun e dëshmorit”, e kë nuk e futen, ama të gjithë kuadër i dalur nga këto “katedra”. E çka pastaj? Urdhri i ishte prerë në fushat. Të gjithë jeni kuadra të përgatitura, e duhet aksion, duhet punë dhe në fund, duam rezultate! Metodat i keni tashmë të mësuara, mjetet/infrastrukturën, sidomos mediat dhe analistët e korruptuar, i kemi në dorë, qeskën e shtetit e kemi të varur në qafën tonë dhe si rrjedhojë s’duam zhgënjim, duam votë në këto zgjedhje, duhet me domosdo të dalim të parët në garë! Mentorët e tyre ishin të vetëdijshëm se këto zgjedhje janë vendimtare për ta. Ata i konsideronin “ja vdekje (burg) ja liri!”! E kandidatët e mjerë nuk e kishin mësuar tashmë se në këtë betejë për votën e qytetarit të ndershëm e me halle shumë, ishte e rëndësishme vizioni, konsistenca dhe pastërtia e “Gjeneralit” që i udhëhiqte “ushtarët” në këtë betejë, më shumë se sa mjetet që përdornin shtabi i të fortëve të dalur nga katedrat akademike të korrupsionit e krimit (endemik) në Kosovë. Gjatë, gjatë do ta mbajnë në mendje këtë humbje. Nuk është vetëm thjeshtë një humbje në rezultat, është shpërfaqje para qytetarit hallemadh e organizatave të korruptuara e kriminale që veten e quanin parti politike, se slloganet e përdorura në fushatën zgjedhore  “100% (&) luftë korrupsionit e nepotizmit”, ishin thjeshtë përpjekje për mashtrimin e radhës. Qytetari foli. N’CUK, nuk mashtrohemi më!

Ata që shfaqeshin në fushatën zgjedhore para qytetarëve me vetëbesimin se do t’i befasojnë “të kqitë” me rezultat, zhgënjyen vetëm veten e tyre dhe aleatët e tyre në garën zgjedhore.

Fushata zgjedhore e PSD – së në këto zgjedhje ishte e gabuar. Përdorën strategji të gabuar. U matën me hijen e mëngjesit! Nuk mësuan nga historia më e re e Kosovës. Strategjia e tyre për ta dëmtuar VV – në duke e sharë dhe përpjekur për ta baltosur Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin e saj për kryeministër të Kosovës, ishte kopje e keqe e fushatave zgjedhore të viteve 2000, 2001, 2002 dhe 2004 që e bënin i ashtu quajturi “krah i luftës” dhe bartësit e kësaj strategjie se “pacifizmi dhe Kryetari i LDK – Rugova, nuk meritojnë votë nga shqiptarët!“ Brezi ynë që ishim të rritur dhe e jetuam atë kohë, jemi dëshmitarë të gjallë se sa më shumë që etiketohej e fyhej Rugova nga “krahu i luftës”, aq më shumë shtohej simpatia e votat për LDK – në e Rugovën në veçanti, e po aq më shumë shtohej urrejtja dhe varfërohej vota për “komandantët” dhe “çlirimtarët”. N’CUK, nuk ju dhezi! Të ikurit nuk lanë shteg e as arsye që në një të ardhme jo të afërt, të mund të bëhet ndonjë falje për ata që vërtet janë mashtruar nga ndonjë “shërbim” që pati interes të ndodhë kjo gjë. Përpjekja për ta goditur e baltosur VV – në, nëpër studiot televizive gjatë fushatës zgjedhore, ishte e gërditshme dhe e neveritshme, jo vetëm për votuesit e përcaktuar të Vetëvendosjes, por dhe për qytetarët tjerë. Siç duket, PSD nuk e kanë parë kurrë vetëveten nga televizori dhe performancën e tyre aty. Përgjigjje më të mirë ju jep aforizma; E pyesin bretkosën, çke që gërrhet vazhdimisht? – Më pëlqen zëri im, përgjigjet ajo.

Aktivistët dhe përkrahësit e Vetëvendosjes nuk kanë mundur lehtë t’e kapërdijnë dot përpjekjen e grupit të “kuadrave intelektuale reformatore” të pa kënaqur me faktin që anëtarët e VV – së po e rizgjedhin Albin Kurtin kryetar të subjektit të tyre. Gjatë kohës kur dilnin me “bujë” nga VV, asnjë herë s’kam mundur t’e kuptoj seriozisht kauzën e tyre. Me gjasë, përveç përpjekjes së orkestruar për ta minuar rritën e VV –së dhe për ta penguar ardhjen e saj në pushtet me Albinin Kryetar të Lëvizjes, kauzë tjetër s’duket. Kauza e psdistëve doli të jetë jaz që bartë ujë për në mulli të tjetër kujt. N’CUK, nuk ia dolën!

 Për Vetëvendosjen, anëtarët e saj kanë dhënë shumë nga vetja. Me vetëdije ata kanë protestuar. Në protestat e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre viteve të aktivitetit të saj politik, në mbështetje të kauzave të saj është derdhë dhe gjak. Sa mundi e djersa është dhënë për VV – në, sa i riu është rrahur dhe burgosur nga aparati shtetëror e i kontrolluar nga grupet kriminale të instaluara në institucionet e larta shtetërore, pa asnjë arsye, veç pse guxonin t’i kundërshtonin politikat e vendimet arrogante e perverëse të njerëzve në strukturat e larta vendimmarrëse shtetërore në Kosovë. Këtu nuk mund të mos e përmendi dhe kontributin e veçantë të ish Kryetarit të VV – së, Visar Imerit. Visari, për dallim nga të tjerët, meriton respekt. Pse, çfarë e shtyu dhe si ndodhi që ai t’e gropos kontributin e tij në Vetëvendosje në një varr me Dardan Molliqajn dhe orkestruesit e tjerë, asnjë herë as që e kam menduar e as që kam mundur t’e  kuptoj dot. 

Vetëvendosje e tregoi vetëveten. Konsistenca e saj u shpërblye pavarësisht sfidave. Albini, ky gladiator i vërtet, i priu anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje në përpjekjen e tyre për ta kthyer shpresën në këtë vend. Ja arritën! Anëtarësia besnike e Vetëvendosjes kanë arsye të festojnë dhe besojnë se “Erdhi Dita!” Qytetarët, përveç ata të lidhur me krimin e organizuar dhe klientelën e saj, pa dallim, pavarësisht se për kë kanë votuar në zgjedhjet e 6 Tetorit, sot duke që janë plotë shpresë.

Uroj që kjo shpresë të mos përkthet në zhgënjim! 

Kjo shpresë duhet të kthehet në gëzim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Vetëm puna me kompetencë dhe përgjegjësi, mund të ja jep të mbarën këtij vendi të shumë vuajtur, si dhe shpresën qytetarit se në Kosovë mund të jetojnë të sigurt, pa krim e korrupsion.

 Prishtinë                                                         Bajram CURRI 

09.10.2019

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.