E Dielë?! Ah kjo e dielë!

23.03.2019

Shënimet në vijim nuk synojnë të përshkruajnë rastet në fjalë, aq më pak ti gjykojnë ato. Nëse duam të gjejmë diçka mirëfilli shqiptare, duhet t’i ikim rrafshit të psikologjisë e të vijmë në rrafshin e kulturës. Te ne mungojnë kërkimet për këtë lloj krimi “vrasjen”, megjithatë, mund të thuash se vrasjet në përgjithësi i kemi […]

E Dielë?! Ah kjo e dielë! Foto: Ilustrim

Shënimet në vijim nuk synojnë të përshkruajnë rastet në fjalë, aq më pak ti gjykojnë ato.

Nëse duam të gjejmë diçka mirëfilli shqiptare, duhet t’i ikim rrafshit të psikologjisë e të vijmë në rrafshin e kulturës. Te ne mungojnë kërkimet për këtë lloj krimi “vrasjen”, megjithatë, mund të thuash se vrasjet në përgjithësi i kemi disi të favorizura. Shpesh vret vëllai vëllanë për një copë tokë, fqinji fqinjin për një gardh, burri gruan pse nuk i hapi dritaren, babai vajzën pse i ktheu fjalën etj., etj.. tash edhe një dukuri e re, polici vret qytetarin!

Vrasje ndodhin kudo, por motivet vështirë se mund të jenë kaq banale. Ia marrim jetën tjetrit për hiçmosgjë. Kjo lehtësi për të vrarë duket se është favorizuar nga dobësia e shtetit dhe fuqizimi i vetëgjyqësisë, kriza e vlerave etj.

Vrasja asnjëherë nuk sjellë vetëm një viktimë, asnjëherë. Gjithmonë janë dhe do të jenë edhe viktima të tjera, familje, fëmijë, shoqëri e shumë persona. E këta persona janë ato viktima të tjera që do të ngriten në këmbë të vazhdojnë “maratonën” e jetës, që sa herë rrëzohen prapë do të ngriten. E këta janë ata disa persona që janë të “fortë” në aspektin emocional dhe ju duhet kohë e shkurtër për të pranuar dhe procesuar se çka në të vërtetë ndodhi dhe pavarësisht dhëmbjes “pranojnë” të jetojnë me faktin. E disa janë edhe “më të fortë” që pranojnë se çka ka ndodhur por gjithmonë me një buzëqeshje të thyer, me një pikturë që ju mungon një pjesë, në fakt një copëz e madhe që asnjëherë nuk të plotëson pikturën tënde të jetës. Nuk janë më të fortë pse dojnë apo kanë zgjedhur, por janë më të fortë se e bëjnë për dikë që e duan.

E diela e 17 marsit pritej të ishte ditë pushimi për të gjithë, një ditë ku fëmijët do ta kalonin me prindërit e tyre dhe do të shkëmbenin bisedat relaksuese për një fundjavë të qetë. Një e dielë pothuajse e zakonshme, me ato ditët paksa të ngrohta, pranë familjes ku asgjë tjetër nuk të duket më me vlerë.

Por kjo ditë nuk ishte e njëjta për familjen Aliaj nga Mushtishti dhe atë Gega nga Studençani, e më pas edhe për të gjithë qytetarët e komunës sonë që ndanë dhembjen e këtyre dy familjeve.

Këtë të dielë ka kaluar plotë një javë që Suhareka ishte tronditur nga dy vrasje. Ka kaluar plotë një javë që fëmijët kanë mbetur pa babain e tyre.

Ishte nisur për në punë sikurse bënte thuajse çdo natë tjetër, por të shtunën nuk arriti që të përfundonte orarin e punës, e as e diela nuk do ta gjente pranë dy fëmijëve të tij. Jetmiri kishte rënë viktimë e atyre që supozohej që do duhej ta mbronin nëse ua kishte nevojë, një pjesëtari të Policisë së Kosovës. Kur fëmijët e Jetmirit do të kalojnë pranë stacionit policor do të thonë: Policia na ka vra babin!

E diela e kaluar nuk ishte ditë e kobshme vetëm për familjen Aliaj, nuk ishte ditë pushimi dhe harmonie edhe për 7 fëmijët Gega nga Studençani.

Edhe pse e diela, e datës 17 mars ishte ditëlindja e njërës prej vajzave të Ismet Gegës, datë në të cilën ajo priste urimin dhe përqafimin e babit, por që doli të jetë datë që ia theu ëndërrat dhe që ia nxiu qiellin. Gjashtë plumba kishte marrë në trupin e tij, gjashtë plumba kishte shkrepur vëllau mbi trupin e Ismet Gegës. Gjashtë plumba do të sillnin lajmin e kobshëm te vajza që priste urimin dhe përqafimin e babit për ditëlindje.

Edhe 100 pranvera të kalojnë edhe me mijëra të diela të tjera të vijnë, e diela më nuk do të jetë e dielë për këto familje, e diela do të jetë një ditë që dikush mungon në prag të shtëpisë!

Edhe sa të diela e ditë të tjera të javës do të errësohen? Edhe sa ditë të tjera do të bëhen të urryera për shumë familje?!

Edhe sot qenka ditë e dielë, ah kjo e dielë!