Marrëveshja Tri formulat alternative për bashkëqeverisjen LVV-LDK

Takimet mes Kurtit e Mustafës janë duke rezultuar pa marrëveshje për bashkëqeverisje, takimi i fundit mes tyre ishte dje, ku ky takim erdhi pas presionit të gjermanëve, por edhe në këtë takim nuk u arrit asgjë.

Kurti pas çdo takimit para mediave ka deklaruar se bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë të pashmangshme dhe se beson që këto bisedime do të rezultojnë me një marrëveshje.

Njohësi i çështjeve politike Blerim Vela ka përmendur tri formula potenciale alternative për arritjen e marrëveshjes qeverisëse LVV – LDK.

Ai ka thënë se nëse zgjidhja më e mirë është që të dyja palët të mos e marrin maksimumin, atëherë është mirë që t’i vënë në konsideratë këto opsione.

Vela ka pohuar se opsioni i parë është që postin e presidentit dhe postin e kryeparlamentarit ta marrë LDK-ja ndërsa postin e kryeministrit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si dhe të ketë mundësi që t’i zgjedhë e para shtatë ministri, kësisoj duke ia lënë LDK-së tri ministri të tjera dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të jetë njëra ndër to.

“Opsioni B, Presidencën dhe Kryeministrinë LVV-ja, kryetarin e Kuvendit LDK-ja dhe të ketë mundësi të zgjedhë e para 7 ministri duke ia lënë 3 Vetëvendosjes, MPB-ja ndër to. Opsioni C, Presidencën LDK-ja dhe mundësinë e zgjedhjes e para të gjashtë ministrive, ndërsa Vetëvendosja kryeministrin, kryeparlamentarin dhe katër ministri, ndër to edhe MPB-ja”, ka nënvizuar Vela.

Vela tha se këto opsione ia mundësojnë partisë që nuk udhëheq me dy nga tre institucionet kyçe të ketë pushtet të zgjeruar në Qeveri.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, ku fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.