PDK e LDK kërkojnë transparencë për draftstatutin, AAK thotë se e ka lexuar

07.11.2023

Liderët e partive opozitare pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak kanë thënë se po mbahen në terr informativ sa i përket procesit të dialogut si dhe draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë thënë se ende nuk e kanë […]

PDK e LDK kërkojnë transparencë për draftstatutin, AAK thotë se e ka lexuar Foto: Ilustrim

Liderët e partive opozitare pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak kanë thënë se po mbahen në terr informativ sa i përket procesit të dialogut si dhe draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë thënë se ende nuk e kanë parë draftin që i është propozuar Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lajçaku u ka thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën, por se ata nuk e kanë parë ende dokumentin. Krasniqi ka thënë se takimi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ishte informues.

 “Ne fatkeqësisht nuk patëm mundësinë që ta konsultojmë tekstin integral. Ne besojmë që duhet të ketë vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara në proces, por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim veç për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë diskutuar e nënshkruar në të kaluarën, por po flasim për një nga pjesët më kontroverse që janë diskutuar e kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë. Në këtë kuadër është për t’u kritikuar Qeveria për mungesë të plotë të transparencës për qytetarët dhe përfaqësuesve politikë, sepse është e pamjaftueshme të thuhet se ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën pa i lexuar nga një perspektivë e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes. Kam kërkuar nga Lajçaku që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet. Kjo nuk është qasje e drejtë sidomos pas sulmit të 24 shtatorit”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se shqetësimet vazhdojnë pasi nuk i kanë parë ende detajet e tekstit. Sipas tij, vijat e kuqe të Kosovës kanë qenë të qarta që nga viti 2013, që Asociacioni të mos krijojë nivel të ri të pushtetit.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se opozita po mbahet në terr sa i përket draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Angazhimi dhe ndarja e kohës me LDK-ën dhe opozitën është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo tjerët në terr, për shkak të moszbardhjes së dokumentit, mosbërjes transparent së paku në parime”, është shprehur Haziri.

Sipas tij, dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhje të problemit dhe se situata pas 24 shtatorit kur ndodhi sulmi në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar,  por këtë sipas Hazirit, nuk ka arritur ta shfrytëzojë Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak kanë pasur mundësi ta lexojnë në tërësi dokumentin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj ka thënë se kanë zhvilluar bisedë për hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe çfarë mund të pres Kosova pas zbatimit të planit franko-gjerman.

“E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep qytetarëve në këto komuna. Çdo herë u referohet ligjeve dhe Kushtetutës. Komentet se a pajtohemi me këtë draft do të bëhen pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se Kosova me të drejtë kërkon një procedurë të shpejtë për anëtarësim në NATO dhe heqjen e sanksioneve. Sipas tij, duhet garantuar Kosovën se nuk do të ketë shqetësime nga obligimet që merr sot.

“Mendojmë që duhet ta kemi mirëkuptimin e vendeve anëtare të NATO-s edhe atyre që nuk na njohin, që të lejojnë fillimin e marrëdhënieve kontraktuale për anëtarësim direkt në NATO me procedurë të shkurt siç ka ndodhur me Suedinë dhe Finlandën”, ka thënë Haradinaj.