Mundësi punësimi në Gjermani për vozitës profesional të kamionëve, kategoria C/CE

31.08.2021

Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit Kosovë – APPK dhe Akademia CEB nga Republika Saarland – Gjermani, vazhdojnë bashkëpunimin me projekte që kanë për synim përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për integrimin e tyre të suksesshëm në shoqërinë Gjermane. Projekti më i ri ka për synim Rikualifikimin e vozitësve të kamionëve, kategoria C/CE, me synim të […]

Mundësi punësimi në Gjermani për vozitës profesional të kamionëve, kategoria C/CE Foto: Ilustrim

Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit Kosovë – APPK dhe Akademia CEB nga Republika Saarland – Gjermani, vazhdojnë bashkëpunimin me projekte që kanë për synim përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për integrimin e tyre të suksesshëm në shoqërinë Gjermane.

Projekti më i ri ka për synim Rikualifikimin e vozitësve të kamionëve, kategoria C/CE, me synim të një punësimi të përhershëm në Gjermani, për fillimisht 20 punëkërkues – shtetas të Kosovës.

Me qëllim të informimit sa më të mirë të kandidatëve të interesuar për pjesëmarrje në këtë projekt, APPK i fton të interesuarit në takime prezantuese. Interesimin tuaj për të marrë pjesë në këto takime, ju lutem të na e përcillni përmes dërgimit të një e-maili në hr@appk.org, me subjekt: “Shprehje Interesimi për Vozitës_(Emri dhe mbiemri)”, më së largu deri me 07.09.2021.

Në e-mailin tuaj, mjafton të na i dërgoni këto të dhëna:
– Emrin dhe mbiemrin
– Datëlindjen
– Shkollimin e përfunduar
– Posedoni lejen e vozitjes të kategorisë C/CE? prej cilit vit?
– Numrin e telefonit

Për ta pasur më të lehtë prurjen e vendimit tuaj për të marrë pjesë në këto takime prezantuese, në vijim disa informata të shkurtëra se cilit grup synues i dedikohet ky projekt:
Nëse jeni:
– Të diplomuar në një shkollë të mesme, apo dhe fillore nëntëvjeçare, në Kosovë;
– Posedues i lejes së vozitjes të kategorisë C/CE;
– Të gatshëm të bashkë-investoni në mësimin e gjuhës gjermane në Kosovë, për rreth 8 muaj;
– Të gatshëm dhe shumë të motivuar për të vijuar një Rikualifikim 6 mujor në Gjermani për vozitës profesional të kamionëve – kategoria C/CE, me kosto tërësisht të mbuluara nga projekti, përfshirë edhe koston e jetesës, me synim të punësimit të përhershëm si Vozitës profesional i kamionit C/CE në Gjermani;
– Të moshës 21 – 40 vjeç.
Ju ofrohet:
– Mësimi i gjuhës gjermane dhe certifikimi, deri në nivelin B1, si parakusht për vijimin e Rikualifikimit, me kosto të formës së bashkëfinancimit;
– Përcjellja e tërësishme e aktiviteteve programore para shkuarjes në Gjermani, pa asnjë kosto shtesë;
– Mundësi të punësimit të përhershëm në Gjermani, pas mbarimit të rikualifikimit.
Gjatë takimit prezantues, do të jeni të informuar për të gjitha proceset e këtij projekti, me qëllim që ta keni më lehtë të vendosni për konkurrimin tuaj.