Liderët ultimatum BE-së për liberalizimin e vizave dhe dialogun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar dje nga një forum sigurie në Budva të Malit të Zi, se Kosova ka përmbushur tashmë të gjitha kriteret dhe nuk do të pranojë kushte të reja për liberalizimin e vizave nga BE, qoftë heqja e taksës apo themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Thaçi tha në konferencën e shtypit pas forumit se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel në vitin 2013, duhet të respektohen dhe implementohen, ndërsa qëndrimi i tij u vlerësua nga kolegët e forumit, presidenti malazez Milo Gjukanoviç dhe analisti politik amerikan Damon Wilson .

“Kosova ka realizuar të gjitha kushtet e nevojshme në ekonomi, politikë dhe legjislacion para së gjithash që të ndodhë liberalizimin i vizave, por kushtet e reja nuk do të pranojmë. Sa për heqjen e tarifës apo themelimin e ndonjë mekanizmi, qoftë edhe asociacionit për liberalizimin e vizave, Kosova i qëndron mbrapa arritjes së marrëveshjes në Bruksel dhe implementimit në tërësi”, tha ai.

Thaçi më tej tha se Bashkimi Evropian nuk po tregohet i drejtë me Kosovën karshi shteteve të tjera të rajonit. “Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, marrëveshjes së Prespës, komunikimit mes shteteve të rajonit, rajoni është në rrugë të sigurt për të ardhmen atlantike. Unë jam veçanërisht i pakënaqur, që pavarësisht punës së mirë që ka bërë Kosova, Bashkimin Evropian po bënë vlerësime të standardeve të dyfishta për Kosovën. Por alternativa jonë është e vetmja e ardhmja për Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.

Haradinaj: Dhënia e sovranitetit në dialog, e gabuar

Në të njëjtën linjë me presidentin por nga vende të ndryshme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha dje se gjatë 20 viteve jetë, shteti i Kosovës ka pasur mundësi të mësojë, ndërsa tani duhet të kuptojë se është përgjegjës i vetvetes dhe nuk ka më të drejtë të ankohet tek miqtë për punën e pakryer.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri në Klinë, në shënimin e 19 vjetorit të themelimit të degës së AAK, ku premtoi se tani e tutje vendimet për Kosovën do të merren në Kosovë, në koordinim më partnerët. “Pavarësia nuk do më thënë me i dhënë vendimet e tuaja sovrane në një proces ku ti nuk e përfaqëson veten.

Me dhanë diçka nga sovraniteti ynë për Unioni n Evropian dhe mu bë anëtar i BE-së e kanë bërë vendet të respektuara, si Gjermania, Italia, Franca dhe plotë vende tjera. Por me dhanë sovranitetin e Kosovës në një proces si dialogu, që është i pa qartë, i pa definuar, e atje me u vendos për punët e Kosovës, ka qenë logjikë e gabuar, edhe e jona edhe e disa partnerëve ndërkombëtar”, tha Haradinaj.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.