Kurti premton fundin e diskriminimit në programet sociale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për një reformë të thellë në sistemin e asistencës sociale të vendit, duke theksuar se qëllimi kryesor është të eliminohen praktikat diskriminuese të së kaluarës.
Në një fjalim të mbajtur sot, Kurti shpjegoi se në të kaluarën, shumë qytetarë të nevojtarë janë përjashtuar nga programet e asistencës sociale për shkak të kritereve të ngushta dhe diskriminuese. Madje, ka pasur raste kur qytetarët janë larguar nga këto programe edhe nëse kanë pasur një punësim të përkohshëm.
“Reforma jonë i thotë jo diskriminimit dhe përveçse mbështet punësimin për gjashtë muaj, njëkohëshisht nxit qëndrueshmërinë e saj edhe pas një periudhe tjetër shtesë prej gjashtë muajsh,” tha Kurti.
Mbështetje për punësim dhe punëdhënës
Për të nxitur punësimin dhe për të ndihmuar familjet në nevojë, qeveria ka vendosur të subvencionojë 70% të pagës bruto të punëtorit për gjashtë muaj, me një maksimum prej 350 euro në muaj.
“Mbështetjen për këto familje po e fillojmë me subvencionimin e 70% të pagës bruto të punëtorit, për gjashtë muaj me radhë, deri në maksimum prej 350 euro në muaj,” u shpreh Kryeministri.
Për të inkurajuar punëdhënësit që të vazhdojnë të punësojnë këta individë edhe pas periudhës së subvencionimit, qeveria do të ofrojë një shumë të njëhershme në vlerë prej 20% të mesatares së pagave të punëtorit në gjashtëmujorin e dytë.
Një qeveri për të gjitha familjet
Kurti theksoi se kjo masë është vetëm një hap në drejtim të një qeverie që i shërben të gjitha familjeve, pa dallim.
“Me masën që prezantuam sot vazhdojmë të rrisim përkrahjen për familjet, krijimin e vendeve të reja të punës, dhe jetës më të dinjitetshme për familjet dhe qytetarët. Se Qeveria është për familjet, e dëshmojnë shtesat për fëmijë, shtesat për lehona, subvencionimi i energjisë, rritja e pensioneve dhe rritja të pagave, e se Qeveria është për secilën familje pa dallim, e vërtetojnë masa si kjo e sotmja, që shtrijnë ndikimin edhe tek ato familje që e kanë pasur të pamundur ta ndjejnë dorën e shtetit në të kaluarën,” deklaroi Kryeministri.