Ende herët të flitet për hapjen e shkollave

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, është shprehur se ende është herët të flitet për hapjen e shkollave, ndonëse tashmë në Kosovë ka filluar zbutja e masave kundër pandemisë së koronavirusit.

Sipas tij për këtë temë duhet të flasin epidemiologët. Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë në këtë situatë shkollat janë vatra potenciale të infeksionit dhe hapja e tyre në situatën e tanishme, mund të rezultonte me rritjen e numrit të rasteve të infektuarve me koronavirus.

“Sa i përket hapjes së shkollave kjo është një pyetje për epidemiologët sepse varet çfarë strategjie zgjedhin. Kosova ka zgjedhur strategjinë e ruajtjes nga infeksioni,  për dallim nga disa vende që e kanë zgjedhur strategjinë e imunizimit kolektiv dhe ato nuk i kanë mbyllur fare”.

LEXO EDHE:  2 infermiere dhe 1 mjek të infektuar me COVID-19 në Suharekë

“Në këto kushte shkollat janë vatra potenciale të infeksionit dhe hapja e tyre në situatën e tanishme, mendoj se do të kishte rezultuar me rritjen e numrit të rasteve. Për këtë arsye të gjitha çfarë kam dëgjuar deri tani janë se shkollat nëse krijohen kushtet të hapen gjatë shtatorit, ndërsa gjatë muajit qershor të hapen për mbajtjen e provimeve të maturës dhe testeve të arritshmërisë,  ku nxënësit mund të vijnë në numër më të vogël dhe të organizohen në klasa më të vogla e po ashtu të hapen edhe universitetet për mbajtjen e provimeve”.