3 Dhjetori – Përfshirja që Mungon!
Sot, më 3 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, një ditë e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat, sfidat dhe potencialin e kësaj kategorie të rëndësishme të shoqërisë.
Foto: Disabled man on wheelchair preparing to cross the road on pedestrian crossing, copy space.
Kjo ditë shërben si kujtesë se përfshirja, barazia dhe respekti nuk duhet të jenë privilegj, por e drejtë e patjetërsueshme për secilin individ, pa dallim.
Personat me aftësi të kufizuara janë ata që, për shkak të dëmtimeve fizike, dëmtimeve në shikim apo dëgjim, vështirësive të zhvillimit, aftësive të kufizuara intelektuale apo çrregullimeve psiko–sociale, përballen me barriera të ndryshme që u pamundësojnë pjesëmarrjen e plotë në shoqëri. Aftësia e kufizuar nuk lidhet vetëm me gjendjen shëndetësore të individit, por me pengesat fizike dhe shoqërore që i rrethojnë.
Kjo kategori vazhdon të hasë një numër të madh vështirësish, si mungesa e infrastrukturës së qasshme, shkollat e papërshtatura, mungesa e mbështetjes arsimore, papunësia e lartë, paragjykimet sociale, izolimi, si dhe qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore dhe rehabilituese. Të gjitha këto krijojnë një realitet të vështirë, ku shpeshherë zëri i tyre mbetet i pazëgjuar dhe nevojat e tyre të paplotësuara.
Ndihma që u nevojitet personave me aftësi të kufizuara është e shumëanshme dhe thelbësore. Ata kanë nevojë për infrastrukturë të qasshme, arsimim gjithëpërfshirës me staf ndihmës, vende pune të adaptuara dhe mundësi të barabarta punësimi, mbështetje financiare të mjaftueshme, shërbime shëndetësore të specializuara dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje sociale, kulturore dhe sportive. Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për respekt, trajtim me dinjitet dhe për një shoqëri që i sheh si pjesë të saj të vlefshme.
Në shumë vende të zhvilluara, këto parime janë të konsoliduara. Institucionet publike janë plotësisht të qasshme, shkollat sigurojnë arsim gjithëpërfshirës, kompanitë janë të obliguara të ofrojnë vende pune të adaptuara, dhe shërbimet shëndetësore specializuara financohen nga shteti. Në këto shoqëri, personat me aftësi të kufizuara kanë qasje më të lehtë në teknologjitë asistive, mbështetje profesionale dhe trajtim të barabartë.
Në Kosovë, megjithëse janë bërë disa hapa pozitivë në aspektin ligjor dhe institucional, sfidat mbeten të mëdha. Shumë ndërtesa publike janë ende të paqasshme, shkollat nuk janë të pajisura me staf të mjaftueshëm mbështetës, transporti publik i qasshëm mungon pothuajse tërësisht, dhe punësimi i kësaj kategorie është ende në nivele shumë të ulëta. Mbështetja financiare dhe shërbimet profesionale nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat reale të tyre. Kjo tregon se Kosova nuk është ende plotësisht e përgatitur për të ofruar kujdes adekuat dhe gjithëpërfshirës, edhe pse ekziston vullneti për përmirësim.
Dita e sotme nuk duhet të mbetet vetëm simbolike. Ajo duhet të jetë një thirrje për veprim, për më shumë investime në qasje, mbështetje dhe sensibilizim, dhe për më pak paragjykime. Një shoqëri matet nga mënyra se si i trajton më të ndjeshmit e saj, dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është një domosdoshmëri njerëzore dhe shoqërore. çdo hap drejt përfshirjes është hap drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më humane.