“Zambaku i Prizrenit” rikthen magjinë e këngës qytetare në edicionin e 36-të
Kryeqendra kulturore dhe historike e Kosovës, Prizreni, është gati të ndizet sërish me tingujt e muzikës qytetare përmes festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”, i cili këtë vit shënon edicionin e 36-të.
I themeluar në vitin 1986, ky festival ka mbetur ndër ngjarjet më të rëndësishme të muzikës qytetare shqiptare, me misionin për të ruajtur, kultivuar dhe promovuar këtë trashëgimi shpirtërore që brez pas brezi e ka shndërruar Prizrenin në një skenë të vlerave kulturore. Në skenën e tij janë ngjitur emra të mëdhenj të muzikës, ndërsa janë prezantuar krijime që sot njihen si pasuri e kulturës kombëtare.
Organizatorët theksojnë se festivali nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen institucionale. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit mbetet zemra organizative e tij, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit çdo vit e përkrah këtë iniciativë që synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Sponsor medial i këtij edicioni do të jetë Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Falë angazhimit të poetëve, kompozitorëve, orkestruesve, këngëtarëve dhe orkestrës, “Zambaku i Prizrenit” vazhdon të cilësohet si një kurorë e artë e qytetit dhe pasuri e gjithë kombit. Orkestra tashmë ka nisur provat muzikore, ndërsa emocionet tek artistët dhe publiku janë në kulm.
