‘Festari’ edhe këtë vit me program të pasur

19.09.2019

Nga data 23 shtator në Suharekë fillon Festivali i Kulturës dhe i Verës, i njohur me emrin “Festari”. Festivali organizohet për çdo vit dhe këtë vit mbahet edicioni i 18-të, që është festë e të rinjve dhe e vjeljes së rrushit. Ky festival është festë e rinisë, ngase bartës të projektit janë të rinjtë e […]

‘Festari’ edhe këtë vit me program të pasur Foto: Ilustrim

Nga data 23 shtator në Suharekë fillon Festivali i Kulturës dhe i Verës, i njohur me emrin “Festari”. Festivali organizohet për çdo vit dhe këtë vit mbahet edicioni i 18-të, që është festë e të rinjve dhe e vjeljes së rrushit.

Ky festival është festë e rinisë, ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa “Festari” nga suharekasit cilësohet edhe si festë e artë, sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

Këtë vit “Festari” vjen me një program të pasur dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe “Festari” përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe të përpunimit të verës. Festivali i kulturës dhe i verës “Festari” do të nisë më 23 shtatori dhe do të përfundojë më 29 shtator 2019.

Në ditën e parë të këtij festivali, më 23 shtator, pas pritjes së mysafirëve do të hapet ekspozita filatelike e pullave postare me figurën e shenjtërores Nënë Terezë.

Aktivitetet do të vazhdojnë më 24 shtator, kur është paraparë një takim i artistëve me kryetarin e Komunës së Suharekës. Po atë ditë do të bëhet edhe dhurimi i gjakut, si dhe një aktivitet për dhurimin e grumbullimin e librave. Ditën e tretë të festivalit, më 25 shtator, do të mbahet kolonia ndërkombëtare e artit. Atë ditë do të ketë edhe aktivitete sportive nga persona me nevoja të veçanta. 

Të enjten, më 26 shtator vazhdon kolonia e artit, si dhe do të mbahet koncerti për fëmijë “Festari i Fëmijëve”. Gjithashtu po këtë ditë do të mbahet edhe një orë letrare. Të premten, ditën e pestë të festivalit do të bëhet parakalimi nga Komuna e Suharekës deri te Muzeu i Qytetit, ku do të hapet ekspozita me prodhime bujqësore.

Po këtë ditë do të bëhet edhe degustimi i verës, si dhe vjelja e rrushit. Ditën e gjashtë të “Festarit” do të mbahet një gala mbrëmje dhe një ekspozitë artistike. “Festari” do të përfundojë të dielën me aktivitete sportive, që përfshijnë taekwondo e gara downhill.