Presidentja kërkon rikthimin e menjëhershëm të Dialogut Strategjik me SHBA-në
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sigurinë rajonale dhe aspiratat euroatlantike të vendit.
Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme bipartizane amerikane për Kosovën, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të Dialogut Strategjik me SHBA-në, si instrument kyç për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja ka nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet kryesore të Kosovës, për të cilin mbështetja amerikane është e pazëvendësueshme.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ajo.
Në takim është vlerësuar veçanërisht angazhimi i senatores Jeanne Shaheen për Kosovën, përfshirë mbështetjen e saj për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, si dhe reagimin pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, presidentja Shiroka-Pula e ka dekoruar senatoren Shaheen me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Kjo është dekorata e parë e ndarë nga Shiroka-Pula që prej marrjes së mandatit si Presidente e Republikës së Kosovës.
