Përpjekja e 17-të dështon, sërish pa kryetar Kuvendi
Edhe për të 17-tën herë, përpjekja për të konstituuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës ka dështuar.
Në seancën e sotme, nuk u arrit të formohej Komisioni për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet të hënën, në orën 10:30.
Në fillim të seancës, deputetët e pranishëm nderuan me një minutë heshtje veprimtarin Ukshin Hoti, në 26-vjetorin e zhdukjes së tij.
Seanca e 17-të konstituive nisi me mbi 30 minuta vonesë, në orën 11:10, ndërkohë që vazhdimi ishte paralajmëruar për orën 10:30. Kjo shënon herën e 17-të që deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit mblidhen në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re.
Edhe kësaj here, pavarësisht pranisë së 111 deputetëve, nuk u siguruan votat e mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë. Nga votimi rezultoi se 55 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo vazhdon të thellojë ngërçin politik në vend, duke lënë të pacaktuar formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.