Kosova shënon Ditën e Çlirimit

para 38 dite

Sot shënohen 26 vjet nga një moment historik për Kosovën: hyrja e trupave paqeruajtëse të NATO-s, e cila i dha fund fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe dhe solli paqen e shumëpritur.

Kosova shënon Ditën e Çlirimit

Ky moment erdhi pas një fushate intensive bombardimesh ajrore kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata e NATO-s, e nisur më 24 mars dhe e zgjatur deri më 10 qershor 1999, ishte një përgjigje ndaj krimeve masive dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s kryen 38,400 fluturime, nga të cilat 10,484 ishin misione bombardimi, duke lëshuar gjithsej 26,614 projektilë.

Me intensifikimin e bombardimeve, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe përshkallëzuan dhunën kundër popullatës civile shqiptare. Mbi 10 mijë shqiptarë u vranë dhe u hodhën në varreza masive, ndërsa dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve në vetëm dy javët e para të bombardimeve shkaktoi jostabilitet të madh politik në Maqedoni dhe Shqipëri.

Më 1 qershor 1999, Beogradi pranoi parimet e G-8-shes, çka çoi në pezullimin e sulmeve ajrore të NATO-s më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit të tërheqjes së forcave serbe sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezoluta 1244. Kjo rezolutë përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së (UNMIK) dhe të një pranie ndërkombëtare të sigurisë (KFOR).

Bombardimet e NATO-s detyruan Serbinë të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën plotësisht nga Kosova. Hyrja e ushtarëve të NATO-s më 12 qershor 1999 hapi rrugën për kthimin në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre të mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin dëbuar si refugjatë në dhjetëra vende dhe kontinente anembanë botës.

Etiketat

Ofertat e fundit