Dështon përsëri seanca konstituive

para 40 dite

Edhe sot, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte planifikuar të niste në orën 10:00, ka dështuar.

Dështon përsëri seanca konstituive

Kjo shënon përpjekjen e pesëmbëdhjetë të dështuar të deputetëve për të konstituuar legjislativin.

Para fillimit të seancës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk i ka numrat e nevojshëm për të konstituuar Kuvendin.

“Ata numra nuk janë të mjaftueshëm për të votuar kryetarin e Kuvendit, për të konstituuar Kuvendin, me të vërtetë është kokëçarje për qytetarët, tallje, pse kjo kokëfortësi nga një parti politike, se paku të ndërrojnë kandidatin dhe të ketë propozime të ndryshme për të dalë nga kjo situatë,” ka theksuar Lushtaku.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se janë në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e zhvillimeve të deritanishme në seancat e Kuvendit.

“Aktualisht ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca,” ka thënë Haradinaj.

Kujtojmë se të dielën u mbajt seanca e 14-të me të njëjtin qëllim, por pa sukses. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përsëriti thirrjen ndaj subjekteve politike që ende nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, por sërish nuk pati propozime. Më pas, përbërja e komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës u hodh në votim.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet të enjten.

Etiketat

Ofertat e fundit