Rruga Suharekë – Duhël, pikë e zezë!
Për secilin pjesmarrës të komunikacionit e sidomos për qytetarët e Suharekës rruga Suharekë – Duhël e njohur si “Biraq” është rrugë që të sjellë në mendje ngjarje të trishta të aksidenteve që kanë ndodhur në të. Periudha gjatë muajve të verës dhe fundviti nuk do të harrohen lehtë për shumë familje kosovare, që humbën më […]
Foto: Ilustrim
Për secilin pjesmarrës të komunikacionit e sidomos për qytetarët e Suharekës rruga Suharekë – Duhël e njohur si “Biraq” është rrugë që të sjellë në mendje ngjarje të trishta të aksidenteve që kanë ndodhur në të.
Periudha gjatë muajve të verës dhe fundviti nuk do të harrohen lehtë për shumë familje kosovare, që humbën më të dashurit e tyre në aksidente të ndryshme trafiku. Vdekjen nëpër rrugë e gjetën edhe shumë mërgimtarë që erdhën në vendlindje për t’i kaluar pushimet.
Rasti i fundit më tragjik ishte aksidenti ku bashkëshorti 32 vjeçar bashkë me nënën e tij, gruan dhe dy fëmijët vdiqën pas përplasjes me një autobus. Familja kishte ardhur për pushime nga Zvicra, shkruan SuharekaOnline.
Për të parë se sa aksidente fatale kanë ndodhur në këtë rrugë mjafton të udhëtosh në të dhe pothuajse në çdo dyqind metra sheh buqeta lulesh në vendet ku qytetarët kanë humbur të dashurit e tyre.
Rrugë tjetër e cila njihet si rrugë në të cilën ndodhin shumë aksidente trafiku në Suharekë, është rruga Duhël- Shtime, ose e njohur si rruga “Giri”, e cila sipas policisë është mjaft e rrezikshme për shkak të pozitës gjeografike dhe lartësisë mbidetare.
Këto rrugë vazhdojnë të mbesin si rrugë më të rrezikshme për shkak të numrit të madh të aksidenteve dhe personave që kanë vdekur në këto aksidente.
Polica në rajonin e Prizrenit ka thënë për Kallxo se njëra nga rrugët në të cilën kanë ndodhur shumë aksidente e që njihet si pikë e zezë për shkak të tyre është rruga Suharekë- Duhël, e njohur si “Biraq”.
Kjo rrugë sipas policisë është e rrezikshme për shkak të pozitës gjeografike pasi që ka shumë kthesa, dhe gjatë sezonës dimërore është e rrëshqitshme.
“Mendojmë se duhet t`i kushtohet një vëmendje e posaçme lidhur me shenjat e komunikacionit dhe mirëmbajtjes së kësaj pjese të rrugës”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Tutje policia ka bërë të ditur se në këtë rrugë janë evidentuar aksidente fatale që nga viti 2000 deri më 2018 ku i fundit ishte aksidenti me fatalitet me pesë persona të vdekur. Në këtë lokacion në bazë të statistikave të policisë, janë evidentuar aksidente me fatalitet që nga viti 2004 e deri më tani, ku nga aksidenti i fundit me fatalitet vdiqën tre persona.