Albulena Haxhiu: Kuvendit po i rikthehet gjallëria

22.10.2026

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar pozitivisht zhvillimet në seancën e sotme parlamentare, duke deklaruar se Kuvendit po i rikthehet gjallëria përmes diskutimeve dhe trajtimit të çështjeve me interes publik.

Përmes një postimi, Haxhiu bëri të ditur se gjatë seancës janë ngritur dhe sqaruar një sërë çështjesh politike, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

Një nga vendimet e rëndësishme të seancës ishte formimi i Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Sipas Haxhiut, dy pozita janë të dedikuara për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Ajo theksoi se RTK-ja, si transmetues publik, duhet të ketë një Bord të kompletuar, ndërsa Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente.

“Kuvendit po i rikthehet gjallëria”, u shpreh Haxhiu në postimin e saj.