Ministria e Ekonomisë vazhdon përkohësisht vlefshmërinë e certifikatave të auditorëve të energjisë

3 orë

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se certifikatat e auditorëve të energjisë, të lëshuara sipas Rregullores (MEPTINIS) Nr. 05/2020, do të mbeten të vlefshme edhe pas skadimit të tyre, deri në autorizimin e institucionit të ri për certifikim, në përputhje me ligjin e ri për efiçiencë të energjisë.

Sipas Ministrisë, vazhdimi i përkohshëm i vlefshmërisë së certifikatave synon të sigurojë që auditorët të mos e humbasin të drejtën për ushtrimin e profesionit gjatë periudhës së tranzicionit ligjor.

Ky vendim nuk vlen për certifikatat e pezulluara ose të anuluara, si dhe për personat ndaj të cilëve zbatohen pengesat e përcaktuara në nenin 13 të rregullores përkatëse. Ndërkohë, Ministria do të vazhdojë regjistrimin e raporteve të auditimit dhe kontrollin e plotë të cilësisë së tyre.

Pas autorizimit të institucionit të ri për certifikim, auditorët e energjisë do të obligohen ta ndjekin programin e arsimit të vazhdueshëm profesional brenda gjashtë muajve.

Ligji i ri për efiçiencë të energjisë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohet nga Kuvendi. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se njoftimi për hapat e mëtejshëm do të publikohet me kohë.