Ekspozoi armën në fotografi, Policia ia konfiskon pistoletën me shtatë fishekë në Dubravë

05.07.2026

Policia e Kosovës ka konfiskuar një pistoletë me shtatë fishekë në fshatin Dubravë të Suharekës, pasi pranoi një informatë përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” se një person kishte ekspozuar një armë në një fotografi.

Sipas raportit policor, zyrtarët kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit, i cili në atë kohë ndodhej jashtë Kosovës. Ata kanë kontaktuar me babanë e tij, i cili u ka treguar vendin ku ndodhej arma dhe ka prezantuar dokumentin e pëlqimit për posedimin e saj.

Gjatë kontrollit, arma është gjetur në një sirtar në dhomën e fjetjes, e pasiguruar. Policia ka konfiskuar pistoletën së bashku me shtatë fishekë.

Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe do të procedohet në procedurë të rregullt.