Gjithçka gati për duelin Kosovë–Slloveni, Dardanët synojnë fitoren
Vetëm pak orë na ndajnë nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026.
Dardanët do të përballen sonte me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një sfidë që mund të rezultojë vendimtare për fatin e kualifikimeve.
Kosova vjen në këtë ndeshje me moral të lartë pas fitores ndaj Suedisë në muajin shtator. Suksesi i arritur atëherë ka rikthyer besimin dhe entuziazmin në radhët e ekipit dhe tifozëve, duke e bërë përballjen e sontme edhe më të rëndësishme.
Përzgjedhësi Franco Foda ka theksuar rëndësinë e madhe të kësaj sfide dhe është shprehur optimist për një rezultat pozitiv. “Atmosfera është shumë e mirë. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Jam i bindur që në fushën tonë dhe para tifozëve tanë do të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer,” ka deklaruar ai.
Foda ka theksuar se përballja me Slloveninë do të jetë e fortë, por që synimi është i qartë – tre pikë të plota për të bërë një hap të madh drejt ëndrrës së kualifikimit në Botërorin e vitit 2026.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është premtuese, ndërsa mbështetja e tifozëve pritet të jetë e zjarrtë, si gjithmonë, në përpjekjen për të shtyrë përpara ekipin drejt një fitoreje historike.
Ndeshja Kosovë–Slloveni fillon në orën 20:45 dhe pritet të sjellë emocione të mëdha në “Fadil Vokrri”. Të gjithë sytë do të jenë të drejtuar drejt Prishtinës, aty ku Kosova synon ta shkruajë një tjetër kapitull të artë në historinë e saj futbollistike.