Itali, shtetasi shqiptar rrëmben ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur – arrestohet nga policia
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në rajonin e Umbrias, Itali, ku një grua 42-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 7 dhe 11 vjeç, janë mbajtur peng për disa ditë nga ish-bashkëshorti i saj, një shtetas shqiptar 53-vjeçar me banim në qytetin Gubbio.
Sipas raportimeve të platformës Urgjent.com, burri kishte mashtruar gruan dhe fëmijët për të udhëtuar nga Shqipëria në Itali. Pasi kishin hyrë në territorin italian, ai ua kishte konfiskuar pasaportat dhe telefonin celular, duke i izoluar dhe privuar nga çdo formë kontakti me botën e jashtme.
Situata u përkeqësua kur ai filloi të ushtronte dhunë fizike ndaj gruas, e cila më pas u gjet e plagosur dhe iu ofrua ndihmë mjekësore. Mjekët italianë i dhanë një prognozë prej 10 ditësh për shërim, si pasojë e lëndimeve të pësuara gjatë mbajtjes peng.
Ngjarja u zbuluar pasi autoritetet shqiptare dhanë alarmin për rrëmbimin trefishtë dhe kontaktuan menjëherë autoritetet italiane. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Perugias dhe në kuadër të koordinimit ndërkombëtar policor, u ndërmor një operacion urgjent, i cili rezultoi i suksesshëm.
Brenda vetëm një ore, karabinierët italianë lokalizuan automjetin që drejtohej nga 53-vjeçari. Në sediljet e pasme të makinës ndodheshin gruaja dhe dy fëmijët e saj. Sapo panë policinë, viktimat kërkuan ndihmë, duke treguar për udhëtimin me mashtrim, izolimin me forcë dhe dhunën e ushtruar nga babai i fëmijëve.
Të tre u liruan menjëherë dhe janë nën kujdesin e autoriteteve italiane. Ndaj burrit shqiptar pritet të ngrihen akuza për rrëmbim, dhunë në familje dhe shkelje të të drejtave të njeriut.