Itali, shqiptari 22-vjeçar kapet duke shpërndarë kokainë në plazh – Arrestohet nga karabinierët
Një 22-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët në Cattolica, nën dyshimin për trafik dhe posedim të lëndëve narkotike të llojit kokainë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar, rreth orës 22:00, kur patrulla e karabinierëve vërejti një të ri në sjellje të dyshimtë, teksa komunikonte në mënyrë të shqetësuar në celular pranë shtegut të biçikletave dhe këmbësorëve, përpara lokaleve buzë plazhit. Pak çaste më vonë, një person i panjohur iu afrua dhe e ftoi të shkonte pas tij drejt pjesës së prapme të kabinave.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, u konstatua shkëmbimi i një sasie lënde narkotike, e cila rezultoi të ishte kokainë. Karabinierët ndërhynë menjëherë dhe ndaluan të dy personat, duke i shoqëruar në kazermë për identifikim.
Gjatë kontrollit personal, tek 22-vjeçari shqiptar u gjetën 5 doza kokaine të fshehura në xhepin e pantallonave, si dhe 3 doza të tjera të sapo shitura. Po ashtu, u sekuestruan 310 euro para të gatshme, të ndara në kartëmonedha me prerje të vogla – të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Blerësi i drogës u procedua me masën administrative për posedim të lëndëve narkotike për përdorim personal, ndërsa shqiptari u arrestua dhe me urdhër të Autoritetit Gjyqësor, po mbahet në qelitë e sigurisë së Cattolicës, në pritje të gjykimit të shkurtuar që pritet të zhvillohet sot.