Përleshje me armë mes shqiptarëve në Itali: Dy të plagosur në Verna di Umbertide

20.06.2025

Një përleshje e armatosur mes shqiptarëve ka ndodhur në orët e vona të pasdites së së enjtes pranë një bari në Verna di Umbertide, duke rezultuar në dy persona të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se incidenti ka ndodhur si pasojë e një larjeje hesapesh të lidhur me aktivitetet e trafikut të drogës. Të shtënat me armë ndodhën në një zonë të frekuentuar, para shumë dëshmitarëve, afër një bari dhe një qendre tregtare, duke shkaktuar panik në mesin e qytetarëve.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë forcat e policisë, karabinierët e Kompanisë Città di Castello si dhe ekipet mjekësore të emergjencës (118), të cilat ofruan ndihmën e parë dhe transportuan të plagosurit drejt spitalit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në zhvillim dhe po koordinohen nga prokurorja Mara Pucci nga Zyra e Prokurorit Publik të Perugias. Deri më tani, nuk janë dhënë detaje shtesë mbi identitetin e të përfshirëve, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.