Itali, arrestohet 40-vjeçari shqiptar për dhunë, rrëmbim dhe zhvatje ndaj partneres

01.02.2025

Një rast i rëndë dhune në familje ka tronditur opinionin publik në Rimini, ku një grua ka raportuar tek autoritetet një sulm brutal nga partneri i saj.

Më 25 janar 2025, viktima e dhunës familjare u paraqit në komisariat me mavijosje të shumta në fytyrë dhe një frakturë në harkun dentar. E tronditur dhe e frikësuar, ajo iu rrëfye hetuesve të Skuadrës Fluturuese mbi ngjarjen e rëndë që kishte përjetuar më 18 janar.

Sipas hetimeve, gruaja kishte vendosur ta linte partnerin e saj për shkak të dhunës së vazhdueshme dhe përdorimit të drogës nga ana e tij. Megjithatë, pas insistimit të burrit, ajo pranoi ta takonte në një hotel në Rimini, ku, në vend të një bisede paqësore, u përball me një dhunë të egër. Ai e goditi brutalisht, duke i shkaktuar fraktura dhe duke tentuar ta qëllonte me thikë. Vetëm rezistenca e saj e fortë shmangu një tragjedi më të madhe.

Më tej, burri e mbajti gruan peng për disa orë, duke e penguar të largohej apo të kërkonte ndihmë. Dhuna dhe kërcënimet e tij vazhduan derisa e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale. Madje, ai e privoi nga komunikimi, duke e ndaluar të përdorte telefonin. Një mik i viktimës, i cili kishte shkuar për ta kërkuar në hotel, nuk mundi ta ndihmonte, pasi ajo u detyrua të qëndronte në heshtje nën kërcënimin e të dyshuarit.

Hetimet zbuluan gjithashtu se gruaja kishte përjetuar dhunë dhe shantazhe të vazhdueshme nga partneri i saj, përfshirë zhvatjen e 20 mijë eurove dhe detyrimin për të bërë video intime që më pas shiteshin tek persona të tretë.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të hetuesve dhe koordinimit me Prokurorinë Publike të Riminit, mëngjesin e së shtunës u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i të dyshuarit. Atij iu komunikua urdhri i kujdestarisë dhe u transferua menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor.