Itali, shkoi në spital me të vjella, ndërron jetë 23-vjeçarja shqiptare
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, pasi Ariana Herri, një 23-vjeçare shqiptare, ka ndërruar jetë në një spital në Padova.
E reja fillimisht kishte shfaqur simptoma të lehta si kolla dhe ftohja, pas një feste tradicionale në Maserada. Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua shpejt, duke kaluar në të vjella të vazhdueshme dhe vështirësi në të ngrënë, gjë që detyroi familjen ta dërgonte në spital.
Fillimisht, Ariana u trajtua në spitalin Ca’ Foncello në Treviso, por për shkak të rëndimit të situatës, ajo u transferua në një spital më të specializuar në Padova, ku iu nënshtrua kujdesit intensiv. Për fat të keq, përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar rezultuan të pamjaftueshme dhe ajo humbi jetën për shkak të një miokarditi fulminant.
Mediat italiane raportojnë se një autopsi e kryer sot pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj tragjedie. Familja e të resë janë të shokuar nga humbja e papritur, ndërsa lajmi ka prekur thellësisht edhe miqtë dhe komunitetin.
Ariana Herri punonte si banakiere në Maserada dhe kishte ëndërr të bëhej estetiste. Megjithatë, muajt e fundit ajo kishte kaluar një periudhë të vështirë, duke vuajtur nga sulme paniku dhe takikardi, të cilat besohet të kenë qenë pasojë e një lidhjeje të përfunduar.
Ceremonia mortore e saj do të mbahet të hënën, më 27 janar, në orën 15:00, në varrezat komunale të Maseradës. Kjo humbje e madhe ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat e atyre që e njohën dhe e deshën.