Më pak se 20% e pronave të regjistruara janë në emër të grave
Kosova vazhdon të përballet me një hendek të thellë gjinor në fushën e të drejtave pronësore, ku më pak se 20 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të grave. Nga 625 mijë prona të regjistruara në Kosovë, vetëm 126 mijë janë në emër të grave.
Kjo situatë u analizua gjatë një tryeze diskutimi të organizuar me temën “Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika”, ku u theksua se gjendja e të drejtave pronësore të grave në Kosovë nuk është aspak e kënaqshme. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se kjo gjendje nuk është fare mirë.
“Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze është të shohim se sa po gjen zbatim ligji dhe se po arrijnë gratë të gëzojnë të drejtat në pronë. Gjendja aktuale sipas statistikave nuk është e mirë”, tha Qelaj.
Një tjetër shqetësim u ngrit nga Xhevat Azemi, ekspert ligjor, i cili citonte të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, sipas të cilave nga 625 mijë pronarë të regjistruar në vend, vetëm 126 mijë janë gra.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe profesori Abdulla Aliu nga Universiteti i Prishtinës, i cili theksoi se është detyrë e shtetit të sigurojë që çdo grua të ketë mundësinë të gëzojë dhe mbrojë pronën e saj.