Suharekë: Mot me shi dhe rrufe

Vendi ynë po vazhdon të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.

Situata meteorologjike mbi vendin tonë mbetet e paqëndrueshme edhe gjatë kësaj jave, si pasojë e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik dhe vranësirave konvektive që mbizotërojnë mbi territorin tonë.

Kjo gjendje meteorologjike po kushtëzon mot me vranësira të dendura, të cilat po shoqërohen me reshje shiu e po ashtu edhe me rrufe.

Në fushat barike ka luhatje me amplituda të ndjeshme, por nuk priten të regjistrohen vlera të ulëta, duke u ruajtur vlerat normale.

Situata labile e motit do të sjellë kushte të favorshme për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Këto reshje parashihet të përfshijnë gjithë territorin e vendit tonë, por intensiteti i tyre si gjithherë nuk do të jetë i njëjtë, për shkak të specifikave klimatike që ka vendi ynë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Temperaturat minimale në komunën e Suharekës, parashihen të lëvizin ndërmjet 14-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius.

Gjithashtu edhe në fushat termike, sidomos në temperaturat maksimale do të ketë rënie të theksuara.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.