LDK- Suharekë: “Ne jemi gati”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Suharekë, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është gati për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.
Në një takim të përbashkët të kryesisë me kryetarët e nëndegëve, kryetari i degës, Dr. Ardian Shala, ka informuar të pranishmit për të gjitha përgatitjet e nisura për këto zgjedhje. Ai ka kërkuar angazhimin e të gjitha strukturave të degës për të komunikuar me çdo qytetar dhe për të përgatitur së bashku ofertën më të mirë për fitoren e LDK-së në zgjedhjet lokale.
Gjatë takimit, kryetari Shala ka njoftuar gjithashtu për kërkesat e vazhdueshme për t’u bashkuar me LDK-në. Ai ka mirëpritur publikisht aderimin e fundit të Naser Jupajt, kryetarit të nëndegës së AAK-së në Studençan, i cili ka deklaruar bashkimin me vizionin e LDK-së. Shala ka shtuar se edhe ditë më parë kanë pranuar figura të tjera që tashmë janë pjesë e rrugëtimit të tyre drejt fitores.
Kryetari Ardian Shala ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Suharekë, i ka dyert e hapura për çdo qytetar që dëshiron t’u bashkohet në atë që ai e quan “rrugëtimin tonë historik për rikthimin e madh të LDK-së në zgjedhjet lokale”.