Së paku 3 anëtarë të AAK-së, u.d. të drejtorit në shkollat e Suharekës

04.03.2019

Shumë akuza janë ngritur në Suharekë për punësime partiake, nga kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj. Së fundmi, të tilla punësime pati në shkolla të ndryshme, raporton KTV. Kryetari i nëndegës së AAK-së në Savrovë, Xhemajl Zenelaj, është emëruar ushtrues detyre i drejtorit në Shkollën e Mesme të Ulët “Iliria”, në këtë fshat dhe ka […]

Së paku 3 anëtarë të AAK-së, u.d. të drejtorit në shkollat e Suharekës Foto: Ilustrim

Shumë akuza janë ngritur në Suharekë për punësime partiake, nga kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj.

Së fundmi, të tilla punësime pati në shkolla të ndryshme, raporton KTV.

Kryetari i nëndegës së AAK-së në Savrovë, Xhemajl Zenelaj, është emëruar ushtrues detyre i drejtorit në Shkollën e Mesme të Ulët “Iliria”, në këtë fshat dhe ka pranuar se është pjesë e partisë në pushtet.

Pos tij, janë emëruar ushtrues detyre të drejtorëve edhe në Shkollën Fillore “Bajram Curri” në Nishor, si dhe në gjimnazin “Jeta e Re”, që të dy këta anëtarë të AAK-së.

E, një gjë të tillë nuk e kanë mohuar as zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.

Njëri nga personat që nuk iu vazhdua kontrata gjatë kësaj qeverisjeje, është edhe Milazim Zenelaj, ish- drejtor i Shkollës Fillore “Iliria”.

Ai thotë se kontrata iu shkëput për arsye politike.

Sipas opozitës në Suharekë, premtimet e Bali Muharremajt gjatë fushatës janë mashtrime sepse, sipas tyre, ai kishte premtuar se në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave do të merren parasysh edhe mendimet e banorëve e nuk do të ketë ndikime politike.

Në komunën e Suharekës, edhe shkollat “Sadri Duhla” në Duhël, “Flamuri i Arbërit” në Reshtan, vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre të drejtorit.

Në disa shkolla në këtë komunë, konkurset për drejtorë janë anuluar shumë herë deri tani me arsyetimin se ata që kanë aplikuar nuk i plotësojnë kushtet.

LDK e Suharekës kishte reaguar javë më parë duke thënë se largimet vetem për motive politike i drejtorëve të shkollave në komunën tonë vazhdojnë si asnjëherë më parë.

Më 22.02.2019 nuk i vazhdohet kontrata drejtorit të shkollës fillore të mesme të ulët “Iliria” në Savrovë z.Milazim Zenelaj, pa vlersim të përformancës dhe vetëm për motive politike. Ndërsa në të njëjten ditë në këtë shkollë caktohet si ushtrues detyre z.Xhemajl Zenelaj kryetar i nëndegës së AAK-së në Savrovë.

Politizimi vazhdon edhe në shkollën “Bajram Curri” në Nishor duke mos vazhduar kontraten drejtorit aktual z.Milazim Hajdari vetem per motive politike dhe duke e zëvëndësuar me një militant të AAK-së.

Degradimi i shkollave vazhdon edhe më tej për faktin që ka rreth një vit që në shkollën “Hasan Prishtina” në Semetisht vazhdon të mos përmbyllet konkursi për drejtor, ku deri tani konkursi është shpallur dhe anuluar 4 herë. Po ashtu një situat pothuajse të njejt e kemi edhe në Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë. Gjithashtu ka disa shkolla që vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre si: shkolla “Sadri Duhla” në Duhël, shkolla “Flamuri i Arbërit” në Reshtan ( ushtruesit e detyrës së drejtorit në këto shkolla janë edhe duke ushtruar detyren e mësimdhënësit, dhe si rezultat i kësaj menagjimi i këtyre shkollave është bërë shumë i vështirë).