Që nga muaji janar 32 policë janë arrestuar

05.11.2019

Janë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente për zyrtarë policorë nga IPK-ja, ku sipas disa të dhënave rreth 150 zyrtarëve policorë në vendin tonë u është ndërprerë kontrata e punës gjatë kësaj periudhe. Por edhe pse janë të thirrur që këta zyrtarë policorë ta mbrojnë ligjin përkundrazi një numër mjaft i madh i këtyre […]

Që nga muaji janar 32 policë janë arrestuar Foto: Ilustrim

Janë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente për zyrtarë policorë nga IPK-ja, ku sipas disa të dhënave rreth 150 zyrtarëve policorë në vendin tonë u është ndërprerë kontrata e punës gjatë kësaj periudhe.

Por edhe pse janë të thirrur që këta zyrtarë policorë ta mbrojnë ligjin përkundrazi një numër mjaft i madh i këtyre zyrtarëve janë të përfshirë në vepra penale.

Ndërsa në nëntëmujorin e parë të vitit aktual (2019) në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) gjithsej janë dërguar 1030 ankesa për zyrtarët policorë në Kosovës, kurse prej këtyre ankesave 651 janë dërguar në Departamentin e Hetimeve, në Inspektorat.

“Inspektorati Policor i Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2019 ka pranuar gjithsej 1030 lëndë/ankesa, të cilat janë pranuar përmes mënyrave të ndryshme në IPK. Nga numri total prej 1030 lëndëve/ankesave, 679 ankesa janë dërguar në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 351 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, ka bërë të ditur për “Zërin” Zyra për Informim e IPK-së.

Në të njëjtën periudhë kohore me autorizim të Prokurorisë, sipas IPK-së, janë arrestuar 32 zyrtarë policorë, teksa është rekomanduar suspendimi i 57 zyrtarëve të tjerë.

“Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorisë, në periudhën janar – shtator 2019 ka arrestuar tridhjetë e dy (32) zyrtarë policorë dhe një (1) staf civil, kurse ka rekomanduar suspendimin e pesëdhjetë e shtatë (57) zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve të stafit civil të PK-së. Sa u përket zyrtarëve policorë të transferuar, janë tetë”, thuhet më tutje në përgjigjen e IPK-së.