Kontrollohen 11 biznese në tri rajone të Kosovës, dyshohen për mallra të falsifikuara

22.02.2024

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë organizuar sot një aksion, me ç’rast kanë kontrolluar 11 subjekte tregtare në Prishtinë, Prizren e Gjakovë për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit.

Kontrollohen 11 biznese në tri rajone të Kosovës, dyshohen për mallra të falsifikuara Foto: Ilustrim

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Dogana e Kosovë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe Inspektorati i Tregut si anëtarë të Task Forcës për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit, pas pranimit të informatave dhe punës në teren për verifikim të informatave kanë zbuluar se subjektet tregtare posedojnë mallra që dyshohet se janë të falsifikuara.

Andaj, si rezultat i dyshimit institucionet e kompetente në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve konform kompetencave ligjore kanë planifikuar veprimet operative në terren dhe është zbatuar Plani Operativ, ku janë kontrolluar 11 subjekte tregtare në 3 regjione të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë)”, tha Stavileci.

Aksioni i Doganës dhe Policisë ende nuk ka përfunduar.