Çlirim Gashi
19.04.2019, 12:43

Zvogëlohet numri i ministrive

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, duke folur për Ligjin për Qeverinë, ka thënë se nuk do të ketë më shumë se 16 ministri në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, asnjë ministri nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra, ndërkaq ka deklaruar se me këtë ligj zëvendëskryeministri patjetër do të jetë edhe ministër.

Ai në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se do të vendoset edhe kuota gjinore për ministritë.

“Ne jemi momentalisht mes 14-16 dikastereve. Asnjë ministri s’do të ketë mbi dy zëvendësministra”.

“Ne për herë të parë jemi duke bërë një ligj që përcakton jo vetëm procedurën kushtetuese të funksionimit të qeverisë, por të gjitha proceset që lidhen me transparencë”, ka thënë ai.

“Ky ligj e përcakton shumë mirë se sa vende të punës do të ketë një ministër, i cili s’do të lejohet të ketë më shumë se një pozitë. Gjithashtu po e vendosim kuotën gjinore për nëpër ministri”.

Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë do të hyjë në fuqi brenda këtij mandati, madje sipas tij ka gjasë edhe brenda këtij viti.

Tahiri ka folur për punësimet në Postë, duke thënë se është bërë shpjegim i gabueshëm. Sipas tij, Muharrem Nitaj është etiketuar gabimisht pasi që djali tij është punësuar me kontratë mbi vepër.

“Shpjegimi që është bërë për punësimet në Postë, ka qenë shpjegim i gabueshëm. Shembulli i Muharrem Nitaj, djali i tij është me kontratë mbi vepër, i ka ardh dita që me ja zgjat njerëzit gishtin pa asnjë arsye”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se partitë tjera duhet të jenë të pastra para se t’ua drejtojnë gishtin AAK-së.

Tahiri ka deklaruar se do të jap dorëheqje nga pozita e tij pasi të jetësohen ligjet që janë në procedurë.

“Është e vërtetë që kemi 70-80 zëvendës ministra, po ta jap një premtim që atë ditë që do i kryej këto ligje, do të jap dorëheqje, veç me jap shembull që funksioni duhet të jetë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq emërimin e Burim Ramadanit si koordinator nacional për integrimin e Kosovës në NATO ai e ka quajtur vlerë të shtuar duke thënë se ka bërë punë të mirë në këtë proces.

“Burimi ka bërë një punë të mirë në procesin e integrimit në NATO, është vlerë e shtuar. Qeveria e ka promovuar Burimin që në raport me ndërkombëtarët me pas një nivel tjetër”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se Qeveria e ka mirëpritur Samitin e Berlinit. Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka pas kërkesa ndaj ndërkombëtarëve me argumentin që “dialogu i udhëhequr nga Mogherini s’ka normalizuar raportet”.

Ai ka thënë se përfaqësuesja e Lartë e BE-së s’ka pas pozicion të qartë rreth debatit për shkëmbim territoresh.

“Aty u pa që më s’ka dialog dhe se dialogu ishte në pikën e fundit”, ka thënë ai.

“Angazhimi i kancelares gjermane Anglea Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron është tejet i rëndësishëm”.

Ky është takim i kryeministrave dhe presidentëve, vetëm Kosova e Serbia i kanë nga dy përfaqësues.

S’është gjë e vogël të të thërrasë kancelaria. Kosova është në fokus bashkë me Maqedoninë.

Jemi përgatitur si zyrë e kryeministrit. Kemi përgatitur një pako të të gjitha temave për t’i njoftuar.

Kjo është vetëm një vlerë e shtuar në drejtimin e Kosovës për BE”, ka thënë ai teksa ka mohuar kategorikisht se do të diskutohet për kufijtë.

Ai i është përgjigjur edhe ultimatumit të Serbisë që deri më 6 maj të hiqet taksa ndaj mallrave serbe. Sipas tij, ka vdekur koha kur Serbia ka mundur t’i bëjë diçka Kosovës.