VV thirrje të gjithëve që t’i bashkohen protestave

  • 10.04.2019, 8:47

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë ka paralajmëruar protestë për rrëzimin e Qeverisë.

Kjo protestë e thirrur me moton “Kundër PANhajnisë”, ende nuk dihet se kur do të mbahet, kjo për shkak se sipas LVV-së, janë duke u mbajtur tubimet në komuna të Kosovës në mënyrë që të mobilizohen qytetarët.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Albulenë Haxhiu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Qeveria po vazhdon me skandale.

“Ne jemi në secilën komunë në takime kundër “PANhajnisë”. Ne kemi nisur fushatën, angazhimin tonë, mobilizimin tonë kundër kësaj Qeverie të hajnisë e cila po prodhon skandale në vazhdimësi. Kemi shpjeguar shumë argumente se përse sot duhet së bashku edhe Opozita edhe qytetarët të angazhohen, sepse kjo qeveri nuk do të ndalet vet. Përkundrazi po vazhdon skandalet, dhe ne e kemi obligim të mos qëndrojmë të heshtur karshi kësaj”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk përjashtohet që në vazhdim të bashkohen edhe LDK-ja.

“Nëse ata zgjedhin të mos bashkohen, atëherë ne nuk mund të ndalemi, sepse situata në vend është jashtëzakonisht e rëndë. Nevojitet mobilizim i madh, opozitar e qytetar, madje këtu duhet të na bashkohen edhe analistët dhe shoqëria civile, intelektual, profesorë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se protestat do të jenë të vazhdueshme deri në rrëzim të Qeverisë.

“Nuk ka data kur do të mbahet protesta. Pra, nuk përjashtohet a do të jetë tani, apo edhe më vonë. Por, jemi duke vazhduar me mobilizim. Do të jenë protesta të vazhdueshme deri në rrëzim të Qeverisë”, është shprehur ajo.

Të tjera