Veseli: Deri n’fund me Ramushin!

Kryetari i Kuvendit dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se koalicionit me kryeministrin Ramush Haradinaj do t’i qëndrojë deri në fund, por ai e ka vetëm një gajle, “sinqeritetin dhe patriotizmin real të Ramush Haradinajt”.

Në një intervistë për “Info Magazine”, Veseli ka thënë se Ramush Haradinajt i ka dhënë përkrahjen dhe e ka bërë kryeministër të Kosovës. “Edhe do t’i qëndroj deri në fund. Në jetën time vetëm etika dhe korrektësia më mban”, ka thënë Veseli.

“Edhe ky koalicion është duke bërë punë, ky kryeministër është duke bërë punë. Jemi duke marrë vendime bashkërisht. Imagjinojeni vetëm rritjen e pagave që e kemi bërë në situatën kur shumica e vendeve përreth janë në krizë ekonomike. 

Unë e kam një gajle: sinqeritetin dhe patriotizmin real të Ramush Haradinajt. Do rrenacakë e përdorin sinqeritetin e tij për të dalë ai kundër partneritetit perëndimor, SHBA-së dhe BE-së.

Mendoj se ai është duke bërë punë të mirë, por në politikë nuk duhet me ra në kurthin e atyre që nesër të lënë në lloç”, ka theksuar Veseli.

Veseli dhe Haradinaj për një kohë të caktuar kanë pasur mendime të kundërta për taksën, derisa Veseli ka kërkuar pezullim të taksës për 120 ditë, Haradinaj ka këmbëngulur që taksa të mos lëvizë, për kundër kërkesës së SHBA-së për ta pezulluar.

RAPORTO